Bota

Erdogan: Gjashtë nëndetëse do t’i shtohen marinës turke në periudhën 2022-2027

Gjithsej gjashtë nëndetëse të reja, një në çdo vit, do të vihen në shërbim të Forcave Detare të Turqisë në periudhën midis viteve 2022 dhe 2027, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Duke folur në ceremoninë e nisjes së disa projekteve të nëndetëseve të reja në Komandën e Kantierit Detar në Golcük të provincës Kocaeli, Erdogan tha se shpreson që nëndetëset të jenë të dobishme për vendin, kombin, ushtrinë dhe detarët.

“Nga vitit 2022, nga një nëndetëse për çdo vit do të vihet në shërbim. Në këtë mënyrë, në vitin 2027, gjashtë nëndetëse do të shërbejnë nën komandën e Forcave Detare të Turqisë”, deklaroi Erdogan.

Ndërkaq, duke iu referuar paktit detar me Libinë, presidenti turk tha se marrëveshja nuk bie në kundërshtim me ligjet turke ose ndërkombëtare.

Erdogan tha se vendi i tij mund ta rrisë nivelin e mbështetjes ushtarake për qeverinë libiane të njohur nga OKB me pajisje ajrore, detare dhe tokësore nëse kërkohet.

Ai gjithashtu shtoi se Turqia “përfundimisht” nuk do t’i ndryshojë politikat e saj për Sirinë dhe Libinë.

Parlamenti turk të shtunën ratifikoi një propozim-ligj mbi miratimin e memorandumit të mirëkuptimit mbi sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak me Libinë.

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Tripoli nënshkruan dy memorandume të veçanta; njëri për bashkëpunimin ushtarak dhe tjetri për kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri: një në Libinë lindore, e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe një tjetër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare./AA