Erdogan: Gyleni rrezikon Shqipërinë

Turqia sheh me shqetësim përplasjen e fundit mes Presidentit të zgjedhur, Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama. Deklarata është bërë në një intervistë ekskluzive që Presidenti i Turqisë i dha Top Channel.
Gjatë bisedës në Top Story, gazetarin Sokol Balla, Presidenti Erdogan foli për forca që duan destabilitetin e Shqipërisë dhe përmes saj edhe Ballkanit, por palajmëroi se Turqia nuk do ta lejojë këtë.

Erdogan foli dhe për rrezikun e ngjashëm me grushtin e shtetit të një viti më parë në Turqi, që sipas tij, i kanoset Shqipërisë nga institucionet e Fetullah Gylenit.

Erdogan foli edhe për raportin e tij me Kryeministrin Edi Rama.

Intervista e plotë

Sokol Balla: Zoti President faleminderit për mikpritjen në shtëpinë tuaj

Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan: Dua të falenderoj shqiptarët për mundësinë që më dhatë të jemi së bashku këtu në selinë presidenciale në Stamboll.

Sokol Balla: Zoti President, si e shikon Turqia Shqipërinë dhe shqiptarët, duke marrë parasysh të kaluarën?

Presidenti Erdogan: Marrëdhëniet mes Turqise dhe Shqipërisë janë të një thellësie të pashoqe mes vendeve të tjera. Ne kemi qenë së bashku për 500 vjet dhe ajo bashkësi ka qenë shumë e fortë dhe që nga ajo kohë kemi vazhduar në mënyrë të angazhuar. Shqipëria është një vend unik me shumëllojshmëri fetare dhe kulturore dhe në këtë aspekt ka një respekt reciprok mes myslimaneve dhe të krishterëve. Kjo bashkëjetesë në këtë drejtim është një pasuri dhe unë lutem shpesh që kjo të mbështetet edhe më tej nga Shqipëria. Por, ka edhe nga ata që po përpiqen që ta ndajnë dhe përçajnë Shqipërinë. Lutem që ata të thyejnë kokën në mur. Këto çështje të harmonisë fetare, që për një vend tjetër mund të jetë sensitive, e bëjnë Shqipërinë një vend edhe më të bukur dhe këtë pasuri nuk duhet ta prekë askush. Shqiptarët dhe qeveria nuk duhet t’ua lejojnë të tjerëve ta shkatërrojne. Dua t’i uroj fat mikut tim të dashur, Kryeministrit Edi në përpjekjet e tij, po ashtu, edhe Presidentit të zgjedhur. Personalisht jam për solidaritet mes tyre. Zgjedhjet në Shqipëri do të shënojnë fillimin e një epoke të re dhe unë besoj që shqiptarët do të fuqizojnë të ardhmen e tyre.

Sokol Balla: Duket që jeni të mirëinformuar pasi ditët e fundit mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit të zgjedhur Meta ka pasur disa debate të forta mbi zgjedhjet, ndaj shpresoj që ata ta kuptojnë si duhet këtë mesazh.

Presidenti Erdogan: Të themi të vërtetën më shqetëson të shohim këtë debat të kohës të fundit mes dy institucioneve të shtetit, mes Presidentit të zgjedhur dhe Kryeministrit. Këto gjëra e bëjnë një vend të humbë shumë. Unë e di që debatet në këtë periudhë do të ndreqen dhe zgjedhjet do t’i bashkojnë shqiptarët duke u dhënë më shumë forcë për të qëndruar mbi këmbët e veta. E di që do të arrini shumë në të ardhmen.

Sokol Balla: Kujt i referoheni ekzaktesisht kur thoni se ka forca që duan të ndajnë dhe përçajnë Shqipërinë dhe çfarë do të bëjë Turqia që të solidarizohet dhe mbështesë Shqipërinë në lidhje me këtë?

Presidenti Erdogan: Nuk do të përmend emra. Politikanët në Shqipëri ndajnë opinionet dhe këndvështrimet e tyre me ne kur takohemi dhe çfarëdolloj ndihme, politike, tregtare, kulturore, ekonomike, ushtarake, ne mund t’ua japim. Jemi të vendosur të japim çdolloj mbështetjeje për Shqipërinë sa herë që duhet, sepse mendojmë që Shqipria është një vend i rëndësishëm në Ballkan. Është burim solidariteti. Përsa i përket rujtjes së stabilitetit, mendoj se Shqipëria luan një rol thelbësor. Stabilitet i Ballkanit është shumë i rëndësishëm, ndaj një vend që ka këtë rol domethënës në Ballkan nuk duhet të ketë asnjë dobësi, ndryshe ne do të shqetësohemi shumë për Ballkanin dhe nëse Shqipëria është e dobët. Ndaj duhet ta mbajmë të bashkuar Shqipërinë, të solidarizuar dhe nuk duhet të lejojmë që të tjerët të përfitojnë nga ndonjë mundësi për të bërë të kundërtën.

Sokol Balla: A janë shqiptarët një investim special në vizionin tuaj të ri personal dhe atë të Turqisë ndaj Ballkanit?

Presidenti Erdogan: Ne nuk e perceptojmë kështu situatën. Jo çdogjë duhet të konsiderohet ekonomikisht. Duhet të keni një vizion civilizimi dhe historik. E përmenda më parë e marrëdhëniet tona datojnë 500 vjet më parë, ndaj nuk është ajo mënyra sesi ne i qasemi Shqipërisë. Ne kemi shumë artefakte historike nga pararadhësit tanë në Shqipëri dhe kemi lidhje të afërta farefisnore dhe gjaku me shqiptarët dhe jo vetëm me shqiptarët, por kudo në Ballkan me të cilët jemi kushërinj, në Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë. Kjo është ajo që shihni ju. Ne të gjithë këtë hapësirë ne shohim vetëm të afërm ndaj nuk duam përçarje. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë. Ne gëzojmë një thellësi historike të lidhjeve tona dhe duam që këto lidhje të mbeten të forta. Ato duhet të ruhen dhe të zgjerohen dhe të forcohen në mënyrë që këto vende të jenë të forta.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne