Erdogan i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të veprojë ndaj kufizimeve në Aksa

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dënoi kufizimet izraelite mbi Xhaminë Al-Aksa, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë ndaj praktikave kundër lirisë së adhurimit në vendin e tretë më të shenjtë të Islamit.

Një deklaratë e lëshuar në faqen e internetit të Presidencës tha se është e papranueshme që Izraeli të imponojë kufizime të reja në hyrjen e muslimanëve në kompleksin el-Haram ash-Sharif – që përfshin Xhaminë e Aksasë dhe Kupolën e Shkëmbit – duke e justifikuar atë me incidentin e 14 korrikut, për të cilin Turqia shprehu keqardhjen.

Erdogani dënoi qëndrimin e Izraelit pavarësisht nga paralajmërimet, dënoi ndalimin e faljes së namazit të së premtes nga muslimanët në xhaminë e Aksasë dhe përdorimin e forcës së tepruar nga forcat e sigurisë izraelite kundër njerëzve që u mblodhën për namazin e së premtes, duke shprehur ngushëllimet e tij për ata që u vranë gjatë përleshjeve në Jeruzalem.

“Organizata e Bashkëpunimit Islamik u themelua në vitin 1969 gjatë një sulmi kundër al-Haram ash Sharif dhe sot bota Islamike qëndron me vëllezërit tanë palestinezë me të njëjtën frymë uniteti dhe solidariteti”, tha Erdogan.

Presidenti tha se përpjekjet për të hequr kufizimet në xhaminë e Aksasë do të vazhdojnë në koordinim me Vakëfin Islamik të Jeruzalemit, Presidentin palestinez Mahmud Abbas dhe Mbretin jordanez Abdullah II.

Presidenti i kërkoi Izraelit të kthehej në status kuonë e para kufizimeve të fundit.

Menjëherë pas lëshimit të deklaratës, Erdogani foli me homologun e tij francez Emanuel Makron në telefon lidhur me tensionet e Aksasë ku shprehën shqetësimet e tyre lidhur me kufizimet ndaj palestinezëve dhe me rastet e vdekjeve.

Burime të Presidencës i thanë Agjensisë Anadolu se të dy presidentët ranë dakord të përpiqen bashkarisht për të zgjidhur problemin dhe për t’i kthyer qetësinë rajonit. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne