Erdogan kritikoi vendet perëndimore për përkrahje të organizatave terroriste

Presidenti Recep Tayyip Erdogan kritikoi ashpër vendet perëndimore me fjalët: “Ju ishit kundër terrorizmit, që kur filluat të veproni së bashku me terrorin?”

Presidenti Erdogan iu drejtua me një fjalim të pranishmëve në Forumin e TRT World që organizohet nga Radiotelevizioni Publik i Turqisë, TRT në Qendrën e Kongreseve në Stamboll me temë “Kriza e globalizimit: Rreziqet dhe mundësitë”.

Erdogan theksoi se vendosja e demokracisë dhe drejtësisë bazohet në bashkimin e zërave të ndryshëm në botë dhe krijimin e një mjedisi të lirë diskutimi.

“Unë mendoj se ata që anuluan pjesëmarrjen e tyre për shkak të Operacionit ‘Burimi i Paqes’ edhe pse më parë njoftuan se do të marrin pjesë, nuk mund të tretin demokracinë dhe ata mbështesin organizatat terroriste”, deklaroi Erdogan.

Kreu i shtetit turk gjithashtu tha se shtetet, të cilat u krijuan duke vizatuar kufijtë në tryezë dhe jo me djersë dhe gjak, kurrë nuk mund të jenë shtete të vërteta.

Duke vënë në dukje se Turqia nuk synon territoret e asnjë vendi, lirinë ose interesat e asnjë shoqërie, Erdogan tha: “Të gjithë mund të veprojnë me qëllime të tjera në Siri, Irak, Afganistan, Libi, Afrikë, Ballkan. Por, Turqia është atje vetëm për shkak të fatit të përbashkët me vëllezërit e saj. Ky është një virtyt i madh që ‘ata që shohin një pikë nafte më të vlefshme se një pikë gjaku’ nuk do ta kuptojnë kurrë”.

Erdogan tha se ata do të vazhdojnë ta quajnë mizorin mizor, terroristin terrorist, padrejtësinë padrejtësi, dhunën dhunë, ndërsa shtoi se “Turqia kurrë nuk është ulur dhe nuk do të ulet në tavolinë me organizatat terroriste”.

Erdogan tha se diplomacia nuk mund të vazhdojë të përdoret si një mjet shtypjeje vetëm nga të fuqishmit, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Si do ta justifikojnë ata që vetes i thonë ‘unë jam më i fuqishmi në botë’ faktin që në veri të Sirisë dërgohen armët, municionet, pajisjet me 30 mijë maune nëpërmjet Irakut?”

“Tërë perëndimi u radhit pranë terroristëve dhe të gjithë na sulmuan. Përfshirë edhe vendet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Ju ishit kundër terrorizmit, që kur filluat të veproni së bashku me terrorin?”, pyeti Presidenti Erdogan.

Kreu i shtetit turk rikujtoi se nesër do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Rusi, ndërsa tha se “Gjatë kësaj vizite ne do të diskutojmë këtë proces me Presidentin rus Vladimir Putin dhe më pas do të ndërmarrim hapat që duhen ndërmarrë”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne