Bota

Erdogan: Lartësitë e Golanit, territor sirian i certifikuar nga OKB-ja me marrëveshjet e 1967-s

Kreu i shtetit turk iu përgjigj interesit të studentëve gjatë një takimi me të rinjtë në Ankara, transmetuar drejtpërsëdrejti nga llogaritë zyrtare të Presidencës dhe Erdoganit në rrjetet sociale “Twitter”, “Facebook” dhe “Instagram”.

Ai u ndal fillimisht mbi vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur sovranitetin e Izraelit mbi Golanin e pushtuar sirian.

Erdogani theksoi se Lartësitë e Golanit janë territor sirian i certifikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara me marrëveshjet e vitit 1967 dhe nuk kanë lidhje me Izraelin.

“(Presidenti i SHBA-së, Donald) Trump thotë: ‘U tha, u bë!’ Por kjo s’bëhet me të thënën e me të bërën tënde. Unë bisedova me (Presidentin e Francës, Emmanuel) Macron. Ai më tha se kishte të njëjtin mendim me mua dhe se këtë do t’i komunikonte edhe Trumpit. (Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir) Putin u shpreh gjithashtu në këtë drejtim. Ky hap i Trumpit është e pamundur të miratohet nga Kombet e Bashkuara dhe nga Këshilli i Sigurimit. Ne do ta ngremë këtë çështje edhe në Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI)”, tha ai.

Sipas tij, me këtë vendim antiligjor, Trumpi i ka dhënë Benjamin Netanyahut një mbështetje të madhe për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 9 prill në Izrael, ndërsa vendet myslimane të Gjirit Persik nuk kanë demonstruar një qëndrim të vendosur për këtë çështje.

“Netanyahu është një person i përfshirë në afera korrupsioni. Trumpi bën llogari që ta shpëtojë Netanyahun duke e mbështetur atë. Çfarë ndodh nëse e shpëton dhe çfarë nëse jo? Ne do t’u bëjmë ballë këtyre çështjeve edhe nëse mbetemi vetëm. Ne, kombi turk, do të vazhdojmë rrugën tonë duke demonstruar vendosmërinë që kemi”, theksoi presidenti turk.

Ai foli më pas edhe për sulmin terrorist ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, me pasojë vdekjen e 51 personave, duke tërhequr vëmendjen se Perëndimi do të ngrinte botën në këmbë sikur një anëtar i organizatës terroriste DAESH të kishte sulmuar një kishë.

“Mirë, por a iu dëgjua zëri ndopak Perëndimit në këtë ngjarje? Nuk iu dëgjua. Këtë terrorist nuk u ngritën ta diskreditojnë. Në rastin e ‘Charlie Hebdo’, sërish të gjithë liderët e botës u takuan në Francë, marshuan së bashku dhe bënë kiametin. Kurse atje u martirizuan 51 myslimanë duke kryer ritet fetare në xhami, por atyre s’iu dëgjua zëri”, u shpreh mes të tjerash Presidenti Erdogan./ trt

OPINIONE