Erdogan: Mandati dhe protektorati janë të papranueshme pas një shekulli

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përsëriti të mërkurën se mandati dhe protektorati janë të papranueshme pas një shekulli.

Sot është 100-vjetori i Kongresit të Sivasit, ku u hodhën themelet e Republikës së Turqisë.

Vendimet më të rëndësishme që u morën në Kongresin e Sivasit, mbajtur më 4-11 Shtator 1919, theksonin se territoret e atdheut janë një e tërë, e pandashme dhe se mandati e protektorati janë të papranueshëm.

Presidenti Erdogan mori pjesë në programin festiv me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Sivasit.

Në fjalën e rastit, pasi vendosi një kurorë me lule në Përmendoren e Ataturkut në Sivas, kreu i shtetit turk theksoi se 4 Shtatori ka një vend shumë të rëndësishëm në memorien e kombit.

“Sivasi, qytet ku u bënë përgatitjet e Luftës Çlirimtare, ishte qendra e parë e Përpjekjes Kombëtare dhe e Republikës. Vendimet e Kongresit të Sivasit përfaqësojnë manifestin e pavarësisë së kombit tonë të shpallur për të gjithë botën në kohërat më të vështira të tij”, u shpreh ai.

“Pishtari i ndezur 100 vjet më parë në Sivas me aspiratën/zjarrin për pavarësi dhe një atdhe, na ndriçon edhe sot rrugën në marshimin tonë modern. Pas një shekulli, ne përsëritim edhe një tjetër herë se mandati e protektorati nuk mund të pranohen në asnjë mënyrë. Atdheu është një i tërë brenda kufijve kombëtarë. Atdheu, flamuri, shteti, kombi ynë dhe pavarësia jonë janë nderi dhe dinjiteti ynë. Ne kemi thyer dhe do të thyejmë sërish çdo dorë që shtrihen drejt atdheut, flamurit dhe pavarësisë sonë. Do të vazhdojmë t’u japim përgjigjen e duhur me çdo çmim atyre që duan të bëjnë operacione mbi Turqinë, qofshin nga brenda apo nga jashtë vendit. Ne do të prishim çdo kurth të ngritur kundër arritjeve dhe objektivave të Turqisë”, potencoi Erdogani mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne