Bota

Erdoğan: Mosveprimi i botës nxiti veprimin për Sirinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se dështimi i komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar Turqinë me miliona refugjatë ka nxitur operacionin e paqes në Sirinë verilindore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një artikull të publikuar për The Wall Street Journal, Erdoğan tha se asnjë shtet nuk ka ndjerë më shumë dhimbjen e krizës humanitare që pasoi se sa Turqia që kur filloi lufta civile në Siri në vitin 2011.

Ai tha se Ankaraja arriti në kufijtë e saj, duke shtuar se bota ka injoruar paralajmërimet e përsëritura të Turqisë për paaftësinë e saj për t’u perballur me problemin e kujdesjes së më shumë se 3,6 milionë refugjatëve sirianë pa ndihmë ndërkombëtare.

“Administrata ime erdhi në përfundim se komuniteti ndërkombëtar nuk do të veprojë, kështu që ne zhvilluam plan për Sirinë veriore”, thotë Erdoğan. “Në mungesë të një plani alternativ për t’u përballur me krizën e refugjatëve, komuniteti ndërkombëtar ose duhet t’u bashkangjitet përpjekjeve tona, ose të fillojë të pranojë refugjatë”.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje.

Erdoğan siguroi se Turqia nuk ka problem me asnjë përkatësi etnike apo fetare në Siri.

“Nga pikëpamja jonë, të gjithë qytetarët e Republikës Arabe të Sirisë, që nuk u përkasin grupeve terroriste, janë të barabartë. Në veçanti, ne kundërshtojmë barazimin e PKK-së me kurdët sirianë”, shkroi ai.

Presidenti i Turqisë gjithashtu tha se Ankaraja do të sigurojë që asnjë anëtar i burgosur i DEASH-it të mos largohet nga rajoni, duke shprehur gatishmërinë e Turqisë për të punuar me shtetet e origjinës dhe organizatat ndërkombëtare në rehabilitimin e bashkëshorteve dhe fëmijëve të luftëtarëve të huaj terroristë.

Terroristët e huaj

Në këtë artikull, Erdoğan gjithashtu kritikon disa shtete evropiane se kanë dështuar të ndalojnë fluksin e luftëtarëve të huaj terroristë në vitin 2014 dhe 2015.

“Ndoshta qeveria e një shteti të caktuar evropian, emrin e të cilit nuk do e përmendi, do të donte t’ia shpjegonte botës se si një prej shtetasve të tij arriti të hipte në një fluturim për në Stamboll në vitin 2014 me municion në bagazhin e tij të kontrolluar.

“Po ashtu, Franca ka bllokuar shitjen e armëve për Turqinë, por pse i injoroi paralajmërimet tona të përsëritura të hershme për sulme të afërta terroriste?” ai shtoi.

Në raport me kritikat nga Liga Arabe për operacionin turk, Erdoğan tha se deklarata e Ligës Arabe nuk reflekton pikëpamjet dhe ndjenjat e vërtetë të popullit arab. Liga Araba “nuk ka legjitimitet”, tha ai.

“Pasi që janë aq të pakënaqur me përpjekjet e Turqisë për të ribashkuar refugjatët sirianë me tokat e paraardhësve të tyre, sa viktima të luftës kanë pranuar ata? Sa kanë kontribuar ata në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës humanitare në Siri? Cilat iniciativa politike mbështesin ata për të ndaluar luftën civile?”, tha Erdoğan.

Presidenti tha se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të parandalojë krizën siriane që ajo të mos tërheqë tërë rajonin në vorbullin e madh të paqëndrueshmërisë, duke shtuar se shumë shtete është dashur të përballen me efektet anësore negative të konfliktit, duke përfshirë emigrimin e parregullt dhe sulme të shtuara terroriste.

“Operacioni Burimi i Paqes paraqet një mundësi të dytë për t’i ndihmuar Turqisë, për t’u dhënë fund luftërave të deleguara dhe për të vendosur paqen dhe stabilitetin në rajon. Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota duhet të mbështesë atë që Turqia po përpiqet të bëjë”, përfundoi presidenti./ AA

OPINIONE