Bota

Erdogan në Britaninë e Madhe më 13-15 maj, takime me Mbretëreshën Elizabetë dhe Kryeministren May

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të takohet me Mbretëreshën Elizabetë II dhe Kryeministren Theresa May në kuadër të një vizite zyrtare në Mbretërinë e Bashkuara, më 13-15 maj.

Sipas një komunikate të Zyrës për Shtyp të Presidencës së Republikës së Turqisë, Erdogan do të udhëtojë të dielën për në Britaninë e Madhe, aleate dhe partnere strategjike e Turqisë, me të cilën marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi i ndërsjellë vazhdojnë të zhvillohen vrullshëm në çdo fushë.

Në kuadër të vizitës, kreu i shtetit turk do të marrë pjesë në aktivitetin përmbyllës të Forumit VII Turko-Britanik të Gjuhës së Ëmbël, i cili synon pasurimin e marrëdhënieve bilaterale duke përfshirë edhe dialogun civil, si dhe do të ketë një takim me investitorët dhe rrethet e biznesit më në zë nga të dyja vendet.

Agjenda e Presidentit Erdogan parashikon gjithashtu një fjalim drejtuar të pranishmëve në një aktivitet të “Chatham House”, institucion mendimi nga më të shquarit në botë.

Gjatë kontakteve të liderit turk në Londër, parashikohet të diskutohen në detaje thellimi i bashkëpunimit në sfera me prioritet dhe interes të përbashkët, siç janë ekonomia, tregtia, siguria, industria e mbrojtjes dhe kultura, por edhe çështje ndërkombëtare si zhvillimet në Siri e Irak, Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), problemi qipriot, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit.

Mbretëria e Bashkuara, me të cilën Turqia realizon një dialog intensiv të çdo niveli karshi sfidave rajonale dhe globale, me në krye luftën kundër terrorizmit, është po ashtu një prej partnerëve ekonomikë më të rëndësishëm të Turqisë, me një vëllim tregtar dypalësh që shkon mbi 16 miliardë dollarë./ trt

OPINIONE