Erdogan në Vatikan dhe Itali më 4-5 shkurt, takime me Papa Franceskun dhe Presidentin Mattarella

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të takohet me Papa Franceskun në kuadër të vizitës që do të realizojë në Vatikan dhe Romë më 4-5 shkurt, si dhe me homologun e tij italian, Sergio Mattarella, në kryeqytetin e këtij vendi.

Siç bën të ditur Zyra për Shtyp e Presidencës turke përmes një deklarate të shkruar, gjatë kontakteve në Selinë e Shenjtë do të merren në shqyrtim marrëdhëniet Turqi-Vatikan dhe çështje të tjera me rëndësi kritike, siç janë zhvillimet në lidhje me Jerusalemin, problemet rajonale, tragjedia humanitare në Siri dhe lufta kundër terrorizmit, ksenofobisë e islamofobisë.

Kjo e Erdoganit do të jetë vizita e dytë që Turqia realizon në nivel presidencial në Vatikan pas 59 vitesh.

Pas qëndrimit në Vatikan, kreu i shtetit turk do të takohet në një drek pune në Romë me Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella; kurse në vijim do të presë Kryeministrin Paolo Gentiloni.

Agjenda e takimeve në Itali parashikon shqyrtimin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Ankarasë dhe Romës në fusha si politika, ekonomia dhe industria e mbrojtjes; shkëmbimin e mendimeve në lidhje me zhvillimet e fundit në Siri, Irak, Libi dhe Jerusalem; kooperimin për luftën kundër terrorizmit dhe emigracionit të parregullt; si dhe konsultimin reciprok për marrëdhëniet Turqi-BE dhe çështje të agjendës së përbashkët të dy shteteve.

“Italia, partner strategjik dhe shtet aleat i yni me të cilin kemi marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera, është njëherësh edhe një nga partnerët ekonomikë kryesorë të vendit tonë. Gjatë vizitës së Presidentit Erdogan në Romë parashikohet edhe një takim me drejtuesit e kompanive më të rëndësishme italiane”, thuhet në fund të komunikatës së lëshuar nga Zyra për Shtyp e Presidencës së Republikës së Turqisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne