Erdogan: Ofensivat e Turqisë në veri të Sirisë do të kalojnë në një fazë tjetër

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se ofensivat e Turqisë kundër terrorizmit do të kalojnë në një “fazë tjetër” në veri të Sirisë.

“Procesi që filluam me operacionet ‘Mburoja e Eufratit’ dhe ‘Dega e Ullirit’ (në veri të Sirisë) së shpejti do të kalojë në fazë tjetër”, tha presidenti Erdoğan në Konferencën e 11-të të Ambasadorëve në kryeqytetin Ankara.

“Nëse është e nevojshme, Turqia do të mbrojë absolutisht interesat e saj kombëtare (në Siri), qoftë përmes dialogut, fuqisë së butë, diplomacisë ose realpolitikës”, theksoi ai.

Turqia pret formimin e një zone të sigurt prej 32 kilometrash në veri të Sirisë dhe ka theksuar se dëshiron që grupi terrorist YPG/PKK të pastrohet në rajon.

YPG/PKK është dega siriane e grupit terrorist PKK e cila për mbi 30 vite ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave në Turqi, përfshirë shumë fëmijë, gra dhe foshnje.

Ankaraja dhe Washingtoni ende duhet të arrijnë një marrëveshje për zonën e sigurt. Zëdhënësi i Ministrisë turke të Punëve të Jashtme, Hami Aksoy, të premten tha se Ankaraja ka durim “të kufizuar”.

Ministria turke e Punëve të Jasthme, të premten theksoi se nëse përpjekjet për të gjetur terren të përbashkët me SHBA-të rezultojnë të pasuksesshme, Turqia do të duhet të formojë e vetme një zonë të sigurt në Siri.

Erdoğan tha se vendi i tij është i vendosur të largojë PKK-në nga territori irakian.

“Ne presim hapa të qarta nga SHBA-të mbi ekstradimin e drejtuesit të FETO-s në Turqi dhe ndalimin e armatimit të grupeve terroriste PKK/YPG”, u kërkoi Erdogan SHBA-ve.

“Prokurimi i sistemit S-400 komercial, jo strategjik”

Më tej, presidenti Erdoğan tha se prokurimi i sistemit të raketave S-400 nga vendi i tij ishte një veprim “komercial, jo strategjik” dhe kritikoi SHBA-të dhe Bashkimin Evropian (BE) për reagimet e tyre të njëanshme pasi ato nuk i dhanë të njëjtën përgjigje anëtarëve të NATO-s që më parë blenë sistemin S-300.

Ai shtoi se qëndrimi i aleatëve të Turqisë detyroi administratën turke të blejë sistemin e mbrojtjes ruse.

Megjithëse, Turqia më parë dëshironte të blejë sistemin e raketave amerikane Patriot, sipas zyrtarëve turq Washingtoni nuk iu përgjigj pozitivisht kur atyre u duhej më së shumti, prandaj Ankaraja filloi bisedimet me Rusinë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes S-400.

Që nga viti 2017, Turqia dhe SHBA kanë qenë në mosmarrëveshje mbi vendimin e Turqisë për të blerë sistemin S-400 dhe SHBA për shkak të mosmarrëveshjeve kërcënoi me prishjen e marrëveshjes së saj për shitjen e avionëve F-35 Turqisë.

SHBA pretendon se S-400 do të jetë i papajtueshëm me sistemet e NATO-s, një argument që Turqia e kundërshton.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i takon Turqisë të marrë vendimet e veta për blerjen e sistemeve të armëve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne