Erdogan: ShBA-ja ka filluar procesin e tërheqjes nga veriu i Sirisë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë filluar me tërheqje nga veriu i Sirisë.

Presidenti Erdogan para nisjes së tij për në Serbi mbajti një konferencë për shtyp në aeroportin Esenboga të Ankarasë.

Në prononcimin e tij kreu i shtetit turk i bëri një vlerësim bisedës telefonike të zhvilluar me Presidentin e ShBA-së, Donald Trump.

“Pas bisedës tonë të mbrëmshme filloi edhe procesi i tërheqjes ashtu siç tha edhe presidenti Trump. Bashkëbiseduesit e ndërsjellë po bashkëpunojnë këtu. Kjo nuk është diçka e re, është diçka që ka një të kaluar. Presidenti Trump ka dhënë direktiva, ka urdhëruar tërheqjen, por kjo u vonua”, deklaroi Presidenti Erdogan.

Duke vënë në dukje se bisedimet do të vazhdojnë me vendosmëri të njëjtë, Presidenti Erdogan tha se “Ne kemi marrë një vendim. Kemi thënë se një natë do të vijmë befas. Vendosmëria jonë po vazhdon. Ne nuk i pranojmë kërcënimet e organizatave terroriste”.

Erdogan tha se po bëhen edhe punime për anëtarët e organizatës terroriste DAESH që mbahen nëpër burgje në Siri, ndërsa shtoi se “Po bëhen punimet në lidhje me hapat që do të hidhen për t’i internuar pjesëtarët e organizatës terroriste DAESH nga burgjet”.

Kreu i shtetit turk gjithashtu bëri të ditur që janë duke e vlerësuar ftesën e Trumpit për vizitë dhe tha se “Sipas të gjitha gjasave vizitën në Washington do ta realizojmë nga mesi i muajit të ardhshëm (nëntor). Takimi ballë për ballë paraqet thellësinë e çështjes, ndërsa do të kemi rastin edhe të bisedojmë për marrëdhëniet Turqi-ShBA dhe për zhvillimet në rajon”.

Erdogan tha se njëra prej temave të bisedimeve do të jetë edhe çështja e avionëve F-35, ndërsa shtoi se “Kjo çështje u bë një proces i zgjatur për të cilin duam të vendosim gjatë këtij takimi. Ne nuk i vonojmë pagesat dhe deri tani kemi paguar 1.4 miliardë dollarë. Do të bisedojmë edhe për këtë çështje”.

Pas prononcimit të tij Presidenti Erdogan shkoi në Serbi, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit në Nivel të Lartë, Turqi-Serbi./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne