Erdogan: ShBA-ja të mendohet mirë para se ti vendosë sanksione Turqisë

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet ta mendojnë shumë mirë çështjen e sanksioneve kundër Turqisë.

“Edhe ne do të kemi kundër-sanksionet tona” tha ai në bashkëbisedimin që pati në Stamboll me gazetarët e huaj.

“ShBA ka një problem, marrëdhëniet tona me (Presidenti Donald) z. Trump janë shumë, shumë ndryshe, por marrëdhëniet me vartësit e z. Trump janë shumë të ndryshme. Prandaj, unë nuk supozoj se do të ketë sanksione”,- tha Erdoan.

“Çështja e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 është një punë e përfunduar si për ne, ashtu edhe për Rusinë”,- theksoi Erdoan.

“Unë mendoj se në 15 ditët e ardhshme do të fillojë procesi i dorëzimit të pjesëve të para të sistemit. Forcat e Armatosura e kanë përcaktuar se ku do të instalohen sistemet që nga momenti i marrjes së tyre në dorëzim. Dhe ky proces do të vazhdojë me vendosjen dhe instalimin e tyre në vendin e caktuar”, shtoi ai.

Lidhur me NATO-n dhe sanksionet, Erdoani tha se Shtetet e Bashkuara (ShBA) të Amerikës nuk janë të autorizuara për të përjashtuar nga NATO ndonjë vend anëtar të organizatës. ShBA-ja duhet të jetë më e kujdesshme në lidhje me çështjen e sanksioneve, vijoi ai.

Turqia është një nga vendet më të rëndësishme dhe të fuqishme të NATO-s,- u shpreh Erdoan dhe shtoi: “Kur të ndërmarrë sanksione ndaj një vendi kaq solidarizues të NATO-s, që ka kontribuar kaq shumë deri tani brenda NATO-s, ShBA-ja duhet të mendohet shumë para se ta bëjë këtë. Edhe ne do të kemi kundër-sanksionet tona. Ne nuk mund t’u themi “Po” këtyre sanksioneve”.

Turqia ka kërkuar ti blejë sistemet amerikane “Patriot” që në kohën e ish-presidentit Obama, por në atë periudhë nuk na janë dhënë,- nënvizoi kreu i shtetit turk dhe shtoi:

“Që nga ajo ditë, Kongresi (amerikan) i ka kundërshtuar gjithmonë dhe i ka penguar kërkesat tona. Tani që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të na japin neve sistemet “Patriot”, që në fakt janë raketa mbrojtëse, çfarë duhet të bëj unë, të mos e zgjidh çështjen e mbrojtjes së vendit tim”.

Turqia është e rrethuar me elementë kërcënues, prandaj ne morëm nga Rusia sistemet S-400, të cilat i kemi blerë në kushte shumë të volitshme, nënvizoi Presidenti Erdoan.

ShBA-ja e ka shprehur disa herë që nuk është dakord që Turqia të blejë raketat e mbrojtjes ajrore tip S-400, të prodhuara me një teknologji të përparuar nga Rusia. ShBA-ja ka paralajmëruar se roli i Turqisë në projektin e avionëve luftarakë F-35 do të rrezikohet në rast se Turqia do të marrë në dorëzim këto raketa./TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne