Erdogan shpreson që armëpushimi në Idlib të vazhdojë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja arriti një marrëveshje armëpushimi me Rusinë në rajonin veriperëndimor të Sirisë, Idlib, për të cilin tha se shpreson se do t’i japë fund një lufte midis palëve muslimane.

Komentet e presidentit turk erdhën pas namazit të xhumasë në Stamboll, ku ai u adresua para besimtarëve në lidhje me operacionet e Forcave të Armatosura Turke në Siri dhe epideminë e koronavirusit vdekjeprurës në botë.

“Kemi pasur dëshmorë. Më në fund u ulëm në tryezë dje dhe ramë dakord për armëpushim që nga mesnata e së enjtes. Shpresojmë që (armëpushimi) të vazhdojë”, tha Erdogan.

Presidenti Erdoğan shprehu shpresë që ky hap t’i japë fund një lufte midis muslimanëve, duke shtuar se detajet e mëtejshme do të diskutohen në mes të marsit.

Më 27 shkurt, Turqia nisi operacionin “Mburoja e Pranverës” në Idlib pasi agresioni i regjimit sirian çoi në shpërnguljen e qindra mijëra civilëve që u strehuan pranë kufijve turq.

Në përputhje me operacionin u neutralizuan mijëra forca të regjimit dhe shumë pajisje të tij ushtarake.

Të enjten, pas një takimi të gjatë disa orë, Turqia dhe Rusia ranë dakord për një marrëveshje armëpushimi në Idlib.

Erdogan komentoi gjithashtu koronavirusin e ri të njohur si Covid-19, i cili ka marrë mijëra jetë në gjithë globin që nga shpërthimi i epidemisë.

Ai tha se qytetarët duhet të përmbahen nga marrëdhëniet e drejtpërdrejta me njëri-tjetrin dhe të mos shtrëngojnë duart në përpjekje për të parandaluar një shpërthim të mundshëm në Turqi, ku deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të konfirmuar.

Virusi u shfaq fillimisht në qytetin Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar dhe që atëherë ka shkaktuar më shumë se 3.381 vdekje dhe ka infektuar 97.993 njerëz në mbarë botën./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne