Erdogan: Sistemet S-400 do të dorëzohen brenda 10 ditëve

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se sistemet S-400, që Turqia ka blerë nga Rusia, do të dorëzohen brenda 10 ditëve.

Ai i shpjegoi gazetarëve detajet e takimit kritik në Japoni me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Erdoan rikujtoi deklaratën për shtyp të Trumpit dhe tha: “Pavarësisht ekipit të tij, ai u shpreh qartë dhe me sinqeritet. Kjo është për t’u lavdëruar. Në lidhje me çështjen e S-400, veçanërisht disa, qarqe të ndryshme, nuk duhet të flasin poshtë e përpjetë. Sepse pas kësaj deklarate, i nderuari Trump ka përcaktuar pozicionin e tij”.

Kreu i qeverisë turke tha se Trumpi i dha të drejtë Turqisë në lidhje me S-400 dhe shtoi: “Ai nuk tha ‘do të zbatojmë këtë sanksion ndaj jush’. Në lidhje me S-400 tha: ‘Keni të drejtë, kjo është padrejtësi’. Kjo është e rëndësishme, edhe kur zhvilluam takimin tresh me të nderuarin Putin, Trump tha fjalë të arsyeshme dhe të mira. Mendoj se këtë proces do e kapërcejmë pa ndonjë problem. Brenda 1 jave ose 10 ditësh do të vijë seria e parë e S-400”.

Kurse pyetjes “A do të blejë Turqia Patriot nga Amerika?” Erdoan iu përgjigj me fjalët: “Nga aspekti teknik, një S-400 është i barasvlershëm me 3 Patriotë. Pavarsisht kësaj, të shohim kushtet. Edhe nëse kushtet janë të barabarta me S-400, ne i blejmë Patriotët. Por nëse nuk janë të barabarta, atëherë të na falni, por ndërkohë që ju mendoni për interesat tuaja edhe ne do të mendojmë për interesat tona. Këtë e shprehëm qartë”.

Presidenti turk shpjegoi se në takim u bisedua edhe për dorëzimin e avionëve F-35 dhe tha se procesi ndiqet nga ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtme.

Ai tha gjithashtu se Linjat Ajrore Turke do të blejnë 100 avionë tip Boing nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vizitën e Trumpit në Turqi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të përparojnë edhe më shumë./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne