Erdogan: Sistemet S-400 do të fillojmë t’i marrim në dorëzim muajin e ardhshëm

Presidenti Erdogan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), mbajti një fjalim të gjatë rreth 1 orë në mbledhjen e grupit parlamentar të forcës së tij politike në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë.

“Me lejen e Allahut, muajin e ardhshëm do të fillojmë të marrim në dorëzim sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, të cilat i kemi porositur nga Rusia”, tha ai.

“Çështja e raketave S-400 ka të bëjë direkt me të drejtat tona sovrane dhe nuk do të tërhiqemi nga kjo”, theksoi Erdogani.

Ai u ndal gjithashtu mbi aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.

“Pa marrë parasysh se çfarë thotë kryeministri grek, ne kemi të drejtat tona atje. Për të mbrojtur të drejtat tona, anijet tona të sondimit dhe shpim-kërkimit do të vazhdojnë aktivitetet e tyre”, u shpreh presidenti turk.

Erdogani reagoi më tej edhe ndaj deklaratave të homologut francez Emmanuel Macron për Mesdheun Lindor.

“Francë, ti s’mund të flasësh. Ti nuk je e autorizuar për këtë. Nëse ka nga ata që janë të interesuar me ujërat, ata gjithashtu mund të kenë diçka për të thënë. Sa i përket Qipros, atje ka 3 vende garantuese (Turqi, Greqi, Britani e Madhe). Vetëm këto shtete mund të flasin”, potencoi lideri turk mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne