Erdogan: TANAP është simbol i miqësisë dhe projekti i paqes

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan gjatë një fjalimi në ceremoninë për lidhjen e Gazsjellësit Trans Anatolian (TANAP) me Evropën deklaroi se “TANAP është një projekt simbol i miqësisë rrënjësore mes vendeve tona”.

“Me të vërtetë ne po dëshmojmë një moment historik në emër të vendeve tona dhe rajonit tonë. Dua të theksoj veçanërisht se TANAP është një projekt rajonal dhe një projekt paqeje. Ky projekt, mbi të gjitha është një simbol i miqësisë rrënjësore mes vendeve tona. TANAP është pjesa më e rëndësishme e korridorit të energjisë prej 3.500 kilometra që shtrihet nga Azerbajxhani në Evropë”, tha Erdoğan.

Ai tha se gjatë kohës së kaluar që nga qershori i vitit 2012 e deri më tani janë bërë përpjekje të mëdha për të vendosur në zbatim projektin TANAP. “Ne kemi mundësuar që TANAP të përparojë ashtu siç ishte parashikuar, përkundër tensioneve rajonale, vaçanërisht vështirësive që kemi përjetuar brenda dhe jashtë dhe madje konflikteve të nxehta”, tha presidenti Erdoğan.

“Me TANAP, nga një ëndërr është bërë realitet që 16 miliardë metër kub gaz natyror nga Azerbajxhani të ofrohet në dobi të Turqisë dhe Evropës”, tha Erdoğan.

– “Ne nuk i tërheqim anijet tona nga Mesdheu”

Lidhur me zhvillimet e fundit në Mesdhe, Erdoğan tha: “Ne nuk i tërheqim anijet tona nga Mesdheu me britmat dhe thirrjet e tyre. Vendi ynë nuk lejon as shkeljen e ligjit të vendit tonë dhe as të interesave të turqve qipriotë”.

“Dikush po nxit tensione, në vend të ndarjes së drejtë lidhur me ndarjen e burimeve të hidrokarbureve që ndodhen në Detin Mesdhe. Po aplikohet gjuha e kërcënimit dhe politika shantazhuese, ndërkohë që ka mundësi për ndarje të drejtë. Asnjë vend nuk është superior ndaj ligjit ndërkombëtar. Kushdo që na është afruar me një hap, ne kemi vrapuar, edhe sot edhe nesër do të vazhdojmë me të njëjtën qasje. Nuk do të heqim dorë as nga të drejtat tona dhe nuk do të lejojmë që turqve qipriotë t’u bëhet padrejtësi. Poashtu nuk do të kërkojmë atë që nuk është e drejtë e jona”, tha Erdoğan i cili shtoi se TANAP është shenja më konkrete e vizionit paqësor të Turqisë.

Hapi i parë në TANAP u hodh me nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Turqisë dhe Azerbajxhanit më 24 dhjetor të vitit 2011. Në këtë kontekst, nga Kompania Shtetërore e Naftës e Republikës së Azerbajxhanit (SOCAR) u krijua kompania e përcjelljes së gazit natyror TANAP. Kompania ishte e autorizuar si pronare e projektit për të përfunduar projektimin, ndërtimin dhe funksionimin e TANAP-it.

Kuadri ligjor i projektit u krijua me nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare mes Turqisë dhe Azerbajxhanit më 26 qershor të vitit 2012 në Stamboll dhe me “Marrëveshjen e qeverive pritëse”. Marrëveshja e qeverive pritëse u miratua nga Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë më 10 shtator të vitit 2014.

Hapja e linjës u realizua në Eskişehir më 12 qershor të vitit 2018 me pjesëmarrjen e presidentit Erdoğan dhe presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Deri në fund të tetorit nga TANAP-i Turqisë i kanë ardhur 3 miliardë e 180 milionë metër kub gaz.

Turqia do të pranojë një kapacitet total të gazit natyror prej 6 miliardë metra kub nëpërmjet TANAP-it dhe 10 miliardë metra kub gaz natyror do të dërgohen në Evropë nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), i cili pritet të jetë gati për të pranuar gazin e parë deri në vitin 2020.

Në ceremoni morën pjesë presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kryeministri i Gjeorgjisë, Giorgi Gakharia, kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviç, Zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev dhe anëtari i Këshillit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne