Bota

Erdogan: Të përdorim monedhat kombëtare në tregtinë mes vendeve anëtare

Samiti 9. i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Tetë Shteteve në Zhvillim (D-8) filloi të premten punimet nën mikpritjen e Turqisë dhe temën “Zgjerimi i Shanseve përmes Bashkëpunimit”.

“Nëse ia dalim të hapim rrugën për të përdorur tashmë monedhat tona kombëtare në tregtinë mes nesh, atëherë ne do të realizojmë një revolucion në historinë e D8-s. S’kemi pse të ndrydhim ekonominë tonë në presionin e valutës, dollarit dhe euros”, tha kreu i shtetit turk në çelje të samitit në Stamboll.

Ai propozoi gjithashtu takimin e bankave qendrore të shteteve anëtare për themelimin e një dhome këmbimi.

“Si vende të D8-s, ne duhet të rrisim nivelin e pjesëmarrjes në takime dhe të përfshijmë në këto punime e mbledhje gjithashtu institucionet e sektorit privat. Si presidentë, ne duhet të kuptojmë mirë rëndësinë e Samitit të Liderëve të D8-s. Të gjithë ne duhet t’i dalim për zot D8-s dhe të bëjmë përpjekje maksimale që organizata jonë të jetë më efektive, më e frytshme dhe më e fuqishme”, u shpreh Erdogan.

Në një botë, ku çdo gjë ndryshon – theksoi lideri turk – është e papranueshme që D8-a të qëndrojë njësoj dhe madje të numërojë në vend.

“Duhet të vazhdojmë me partnerë të rinj dhe të mos i frikësohemi zgjerimit. Në mekanizmat vendimmarrëse, ne duhet të përftojmë nga ‘shumica e kualifikuar’ në vend të njëzëshmërisë, pasi mekanizmi i punës me votim unanim do të bllokohet në shumicën e rasteve”, nënvizoi Erdogan.

Kurse në një konferencë shtypi pas samitit në fjalë, kreu i shtetit turk njoftoi se D8-a mund të zgjerohet në D20 dhe se për këtë do të bëhen hapat e nevojshme pa humbur kohë.

Ai vuri në pah se D8-a është themeluar për një botë më të drejtë dhe shtoi: “Organizata e D8-s është një vepër kundër statukuosë, që mbron disa fuqi të caktuara.”

Në vendet gjoja djep i demokracisë – vijoi Erdogan – jetojnë miliona njerëz, që janë margjinalizuar vetëm pse janë ndryshe.

“S’mund të pritet që organizata ndërkombëtare si D8-a të heshtin përballë kësaj tabloje”, potencoi ai.

Presidenti Erdogan bëri me dije gjithashtu se vendet anëtare të organizatës kanë rënë dakord mbi një plan veprimi për objektivat afatshkurtra dhe afatmesme, ku çështjet me prioritet janë tregtia preferenciale, miratimi dhe funksionalizimi i marrëveshjeve doganore dhe atyre për liberalizimin e vizave nga të gjitha vendet anëtare.

Themeluar në vitin 1997, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik e Tetëshes në Zhvillim formohet nga Turqia, Irani, Pakistani, Bangladeshi, Malajzia, Indonezia, Egjipti dhe Nigeria./ trt

OPINIONE