Erdogan: Turqia do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj në Irak, Siri dhe Mesdhe

Kreu i shtetit turk mbajti një fjalim në ceremoninë e emërimeve në sektorin publik, zhvilluar në Qendrën Popullore të Kongreseve dhe Kulturës në Bestepe të Ankarasë.

Ai theksoi se disa rrethe të caktuara po bëjnë përpjekje për të jetësuar në Mesdhe një skenar që e internon Turqinë në brigjet e veta.

“Por ne e prishëm edhe këtë lojë me marrëveshjet që bëmë fillimisht me Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV) dhe pastaj me Libinë gjithashtu”, shtoi lideri turk.

Duke iu referuar planeve të përbashkëta me Libinë për të dërguar trupat turke në shtetin afrikanoverior, Erdogani tha: “Ne jemi në këtë vend (Libi), ku paraardhësit tanë bënë histori, sepse ne jemi të ftuar atje për të zgjidhur padrejtësinë dhe përndjekjen.”

Ai vuri në pah se Turqia do të japë “përgjigjen më të mirë” për ata që nuk e kanë kuptuar ende se siguria e vendit fillon përtej kufijve të tij, një fshikullimë kjo për kritikat kundër vendimit.

“Turqia do të vazhdojë të mbrojë deri në fund të drejtat dhe interesat e saj edhe në Irak, edhe në Siri, edhe në Mesdhe”, përfundoi kreu i shtetit./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne