Erdogan: Turqia e gatshme për operacione në të gjithë vijën kufitare

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve të pranishëm në avionin presidencial gjatë kthimit nga Rusia, Erdogani theksoi se për zonën e sigurt dhe pa prani terroriste në lindje të lumit Eufrat nuk do të tolerojnë në asnjë mënyrë një manovër evazive të ngjashme me atë në Menbixh.

“Aktualisht ky proces po funksionon në një farë mënyre, por ne – natyrisht – s’jemi të vetëkënaqur dhe nuk i kemi lënë mënjanë përgatitjet tona. Tani jemi gati në të gjithë vijën kufitare. I tërë personeli dhe të gjithë transportuesit tanë të blinduar janë në kufi. Pra, jemi në gjendje të bëjmë gjithçka në çdo çast”, u shpreh ai duke ripërsëritur mesazhin e gatishmërisë për operacion përtej kufirit.

Ndërkohë që në linjën Ankara-Uashington po avancon marrëveshja për zonën e sigurt në Siri, agjenda me Rusinë u intensifikua nga sulmet në rritje të regjimit të Bashar al-Assadit në qytetin e Idlibit.

Kreu i shtetit turk vuri në pah se shqetësimet rreth kësaj çështjeje ia komunikoi personalisht homologut të tij rus, Vladimir Putin.

“Z. Putin foli për nevojën e një solidariteti së bashku në lidhje me këtë çështje. Kurse ne i thamë atij se Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Organizata Kombëtare e Inteligjencës mund të bashkëpunojnë për çështjen në fjalë. Gjithashtu i thamë Putinit se ne s’duhet ta shqetësojmë njëri-tjetrin këtu në asnjë mënyrë dhe se vazhdimi i bashkëpunimit është i domosdoshëm”, sqaroi Erdogani.

Më tej, ai potencoi edhe një tjetër herë vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër terrorizmit.

“Ne jemi të përkushtuar në luftën kundër të gjitha organizatave terroriste. DAESH-i, PYD/YPG-ja, HTS-ja (Hayat Tahrir al-Sham); të gjitha duhet të eliminohen. S’bëjmë lëshime në lidhje me këtë çështje. Të 12 pikat tona të vrojtimit po kryejnë një mision shumë të rëndësishëm në Idlib dhe misionet e tyre do të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë”, tha presidenti turk.

I pyetur edhe për avionët luftarakë “Su-35” dhe “Su-57”, të cilët i pa nga afër dhe për të cilët u informua në mënyrë të hollësishme gjatë vizitës së tij njëditore në Rusi, Erdogani tha çdo gjë mund të ndodhë.

“Ne s’erdhëm kot këtu (në Rusi). Pra, ne s’jemi të shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse nuk bëhet kjo (dorëzimi i avionëve F-35). Gjithçka mund të ndodhë. Tregjet nga mund të furnizohemi janë të shumta”, vlerësoi shefi i Ankarasë zyrtare./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne