Erdogan: Turqia nuk lufton kurdët, por terroristët

Kreu i shtetit turk vlerësoi rendin e ditës për gazetarët e pranishëm në avion gjatë kthimit nga Doha, ku shkoi për Takimin 5. të Komitetit të Lartë Strategjik Turqi-Katar.

Erdogani u ndal fillimisht mbi punën që duhet bërë për rindërtimin e zonave të spastruara nga prania terroriste në veri të Sirisë.

“Nëse i ndërtojmë këto banesa (atje), ky do të jetë një shembull për të gjithë botën. Veçanërisht mund të bëjmë një hap ndërmjet Tell Abyadit dhe Ras al-Aynit. Qoftë edhe vetëm fillimi i ndërtimit të banesave në zonën 120 km të gjatë dhe 30 km të thellë do të shndërrohet në një shembull si në Siri ashtu edhe në të gjithë botën sa u përket zhvillimeve lidhur me refugjatët. Një projekt i këtillë nuk është praktikuar në asnjë vend të botës. Nëse bëhet, do të jetë hera e parë. Sidomos ata që shohin shtëpitë, spitalet, shkollat, objektet e kultit dhe lehtësitë sociale, mbeten të magjepsur. Hedhja e një hapi të tillë vlerësohet”, u shpreh ai.

Lideri turk nënvizoi se në Ligën Arabe ka disa qëndrime të rreme dhe të gabuara në lidhje me përpjekjet që vendi i tij po bën kundër terroristëve në veri të Sirisë.

“Në vendin tonë ka rreth 4 milionë refugjatë dhe 350 mijë prej tyre janë kurdë, ndërsa 3,5 milionë janë arabë, ezidë, kaldeas, aramaikë dhe të tjerë. Turqia është vendi që mban barrën e tyre duke shpenzuar mbi 40 miliardë dollarë. Këta jo vetëm që nuk i shohin të gjitha këto që janë bërë, por nuk kanë dhënë as edhe një cent mbështetje për këtë rajon si anëtarë të Ligës Arabe. E pastaj sulmojnë Turqinë pa pikën e turpit, pa u mërzitur aspak. Ekziston edhe një fakt i tillë”, vlerësoi Erdogani.

Presidenti turk potencoi më tej se përcaktimi i një kalendari për Operacionin “Burimi i Paqes” do të ishte diçka e gabuar.

“Përpjekja jonë këtu nuk është e varur nga një kalendar i caktuar. Është e pamundur të jepet ndonjë datë në operacione ushtarake të këtilla. Numri i terroristëve të neutralizuar deri më sot është 1.230. Edhe ne kemi 13 ushtarë të rënë dëshmorë, edhe Ushtria Kombëtare Siriane ka 241 martirë. Kurse numri i humbjeve civile është 22”, deklaroi ai.

Erdogani riafirmoi se prioriteti i Turqisë është eliminimi i provokimeve të organizatës terroriste.

“Ne s’luftojmë kurdët, por terroristët. PYD-ja, YPG-ja, DAESH-i janë terroristë. Ne po i luftojmë të gjitha këto organizata. Shohim që një terrorist përdor emrin Mazlum Kobani. Ky person është Ferhat Abdi Sahin, një terrorist i njohur me kodin «Sahin Cilo». Aktet e përgjakshme në të cilat ka marrë pjesë ky njeri, nuk kanë të llogaritur. Ai u ka hyrë në gjak qindra njerëzve. Këtë ia kam sqaruar me imazhe gjithashtu Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin”, tha ai.

Sa i përket raketave ruse “S-400”, të cilat po shkaktojnë tension me SHBA-në, Presidenti Erdogan vuri në pah se nuk bëhet fjalë që Turqia të mos e vërë në përdorim këtë sistem të mbrojtjes ajrore./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne