Erdogan: Turqia s’do të lejojë kurrë që “Marrëveshja e Shekullit” të kërcënojë paqen

Kjo vërejtje e Presidentit Erdogan erdhi përmes një mesazhi që ai i dërgoi Konferencës 3. të Platformës Ndërparlamentare për Jerusalemin, e cila po zhvillon punimet në kryeqytetin Kuala-Lumpur të Malajzisë me temën “Drejt një Strategjie Efektive për t’i Dhënë Fund Pushtimit Izraelit”.

Me anë të mesazhit të tij në adresë të takimit të nivelit të lartë në Malajzi, kreu i shtetit turk nënvizoi kuptimin dhe rëndësinë e një konference të tillë në këtë periudhë kritike dhe shtoi se e ashtuquajtura “Marrëveshja e Shekullit”, e cila e shpall Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr që kërcënon paqen në rajon.

“Ne nuk do të lejojmë që kjo ëndërr të bëhet realitet. Ne nuk e njohim këtë plan, i cili nënkupton aneksimin e tokave palestineze, shkatërron plotësisht Palestinën dhe uzurpon tërësisht Jerusalemin. Nuk e pranojmë assesi këtë përpjekje, e cila pranon një zgjidhje me dy shtete në sipërfaqe, por në të vërtetë nënkupton legjitimimin e pushtimit izraelit nën mandatin e administratës amerikane”, potencoi ai.

I ashtuquajturi plani i paqes për Lindjen e Mesme, pagëzuar si “Marrëveshja e Shekullit” nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u njoftua nga ky i fundit më datë 28 janar. Ai i referohet Jerusalemit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor.

Plani ka tërhequr kritika të gjera nga bota arabe dhe është refuzuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e cila u bëri thirrje “të gjitha vendeve anëtare që të mos angazhohen me këtë plan ose të mos bashkëpunojnë me administratën amerikane në zbatimin e tij në çfarëdo forme”.

Udhëheqësit e bllokut mysliman përsëritën nevojën për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, që mbron gjithashtu të drejtat e palestinezëve.

Erdogani tha se Izraeli ka arritur padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme kufijtë e tij të tanishëm, ndërsa Palestina është përballur me okupim, shkatërrim dhe vuajtje për vite me radhë.

Ai vuri në pah se Turqia s’do të heshtë kurrë përballë aneksimit të Jerusalemit dhe nuk do t’i lërë vetëm asnjëherë vëllezërit e saj palestinezë në këtë luftë.

“Dua të theksoj edhe një herë që Jerusalemi është vija jonë e kuqe. Si vende myslimane, përgjegjësia jonë më e rëndësishme në këtë proces është të mbrojmë Xhaminë Al-Aksa, të përqafojmë Jerusalemin si simbol të paqes dhe të mbrojmë të drejtat e palestinezëve”, tha presidenti turk.

“Politika e ndjekur nga disa vende islame kundër këtij hapi, i cili është fillimi i një procesi që do të prekë të gjithë botën dhe veçanërisht Lindjen e Mesme, ka krijuar një tablo të trishtueshme”, pëfundoi ai.

Erdogani ka kritikuar më parë disa shtete islame për dërgimin e përfaqësuesve në Shtëpinë e Bardhë për ceremoninë e prezantimit të pseudoplanit të paqes për Lindjen e Mesme./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne