Erdogan: Turqia do të vazhdojë të jetë pranë Jordanisë në çështjen e Jerusalemit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan vuri theksin në nevojën e forcimit të mekanizmave të bashkëpunimit për të vazhduar në mënyrë më të saktë solidaritetin mes myslimanëve.

Erdogan, i cili zhvilloi dje një vizitë zyrtare njëditore në Jordani, pas takimit kokë më kokë me Mbretin e Jordanisë, Abdullah i 2-të në Pallatin Al-Husejinije, kaloi në mbledhje mes delegacioneve.

Në pjesën e mbledhjes të hapur për media, Presidenti Erdogan shprehu kënaqësinë nga vizita e tij në Jordani pas 9 vitesh, ndërsa shprehu falënderime për interesimin dhe respektin e treguar ndaj tij dhe delegacionit që e shoqëronte.

“Posaçërisht shpreh falënderime në emër të vendit vëllait tim Mbretit Abdullah për këtë ftesë”, deklaroi Erdogan dhe vijoi duke thënë se këtë vit shënohet 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Duke uruar që ky përvjetor të sjellë të mira për të dyja vendet Presidenti Erdogan tha se “Me këtë rast dua të falënderoj në emrin tim dhe të vendit vëllezërit tanë jordanezë për solidarizimin e treguar gjatë tentativës së grusht shtetit të 15 korrikut (2016)”.

Duke e bërë të ditur se shteti dhe populli turk kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pranë jordanezëve gjithmonë kreu i shtetit turk vijoi me këto fjalë: “Veçanërisht di shumë mirë ndjeshmërinë e vëllait tim në lidhje me çështjen e Palestinës. Ne do të vazhdojmë ta përkrahim rolin e Jordanisë në mbrojtjen e vendeve të shenjta të myslimanëve në Jerusalem. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku që sulmet dhe shkeljet e jetuara muajin e kaluar në Haram al-Sharif të mos përsëriten më. Si rajon i botës islame me të vërtetë jemi duke jetuar ditë të vështira. Myslimanët në këtë periudhë kritike kur po formohet e ardhmja e jonë, duhet të vazhdojnë me solidaritetin mes tyre në mënyrë më të ndjeshme në rajon, ndërsa mënyra për të arritur këtë është shtimi i konsultimeve dhe forcimi i mekanizmave të bashkëpunimit. Besoj se ky takim i sotëm qoftë dypalësh, qoftë mes delegacioneve, do të jetë shumë i dobishëm në këtë aspekt”.

Më pas Presidenti Erdogan mori pjesë në darkën zyrtare të shtruar nga Mbreti i Jordanisë, Abdullah i 2-të, ndërsa më pas priti në takim Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Jordanisë, Atef Tarawnef dhe Kryetarin e Senatit, Faisal Al-Fayez.

Presidenti Erdogan në orën 18.30 u kthye në vend nga kryeqyteti Aman i Jordanisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne