Erdoğan: Turqia zotohet të ndriçojë vrasjen e Khashoggit

Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për të hedhur dritë mbi vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke shkruar një artikull në Washington Post, Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë të bëjë presion për vendndodhjen e mbetjeve të Khashoggit dhe identitetin e atyre që janë përgjegjës.

Duke nënvizuar se shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje në lidhje me procedurat gjyqësore në Arabinë Saudite, ai tha: “Mungesa e plotë e transparencës përreth gjykimit, mungesa e qasjes së publikut në seanca dëgjimore dhe pretendimi se disa nga vrasësit e Khashoggit gëzojnë de facto lirinë nuk arrijnë të përmbushin pritjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe prish imazhin e Arabisë Saudite, diçka që Turqia, si miku dhe aleati i saj, nuk e dëshiron”.

“Është në interesin tonë më të mirë, dhe të njerëzimit, të sigurojmë që një krim i tillë të mos kryhet askund përsëri. Luftimi i mosndëshkimit është mënyra më e lehtë për të arritur këtë qëllim. I kemi borxh familjes së Jamalit”, shkroi Erdoğan, duke shtuar se “vrasja e Khashoggit nuk ishte vetëm një tragjedi, por një abuzim i ashpër i imunitetit diplomatik”.

Khashoggi u vra më 2 tetor të vitit 2018 në Konsullatën Saudite në Stamboll. Arabia Saudite fillimisht mohoi çdo njohuri mbi vendndodhjen e tij pasi ai u zhduk, por më vonë u përpoq të fajësonte për vdekjen e tij një ekip të operativëve mashtrues.

Sipas raporteve të OKB-së dhe organizatave tjera të pavarura, ai u vra dhe copëtua. Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman, pranoi përgjegjësinë për vrasjen e Khashoggit, por mohoi urdhërimin e vrasjes.

Vrasja ka ngjallur zemërim ndërkombëtar me OKB-në duke bërë thirrje për një hetim mbi rolin e Bin Salman në kryerjen e operacionit. Mbetjet e Khashoggit ende nuk janë gjetur./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne