Bota

Erdogan: Universiteti Turko-Gjerman, simbol i miqësisë: Universiteti Turko-Gjerman, simbol i miqësisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shprehu shpresë që Universiteti Turko-Gjerman në Stamboll do jetë një simbol i miqësisë midis dy vendeve.

“Ne do të vazhdojmë të japim çdo lloj mbështetje për Universitetin Turko-Gjerman”, theksoi Erdoğan në ceremoninë zyrtare të hapjes së kampusit të ri të universitetit në Stamboll së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Erdoğan shtoi se aktualisht po bëhen përpjekje për të themeluar një universitet turko-japonez të shkencës dhe teknologjisë, si dhe një universitet turko-italian.

“Vazhdojmë punimet tona me qëllim për të rritur sasinë dhe nivelin kualifikues të arsimit të lartë në vendin tonë”, shtoi presidenti turk.

Gjatë ceremonisë së përurimit që u mbajt përpara takimit dypalësh midis dy liderëve, Erdoğan tha se në takimin e sotëm me kancelaren gjermane do të diskutojnë detajisht dinamikën rajonale, çështjet rajonale, veçanërisht Libinë, dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Ai tha se kaosi në Libi do të ndikojë në gjithë rajonin e Mesdheut nëse paqja nuk do të sigurohet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar të mos bëjë të njëjtin gabim në Libi sikur në Siri”, tha presidenti Erdoğan.

Më 12 janar, palët e konfliktit në Libi njoftuan një armëpushim në përgjigje të një thirrjeje të përbashkët të liderëve të Turqisë dhe Rusisë. Por bisedimet për armëpushim të përhershëm në Moskë javën e kaluar përfunduan pa rezultat pasi gjenerali i forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar, u largua nga kryeqyteti rus pa e nënshkruar marrëveshjen.

Të dielën, gjatë konferencës ndërkombëtare për Libinë në Berlin, Haftar pranoi të caktojë anëtarët në një komision ushtarak të propozuar nga OKB me pesë anëtarë nga secila palë për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.

Libia po përballet me një krizë legjitimiteti për shkak të luftës civile e cila vazhdon që nga viti 2011 pas vrasjes së liderit të rrëzuar Muammar Gaddafi.

Që nga ajo kohë, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) me qendër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së.

Nga muaji prill i vitit të kaluar, mbi 1.000 persona kanë humbur jetën si pasojë e ofensivës ushtarake të Haftarit kundër qeverisë në Tripoli.

OPINIONE