Rajoni

Erdogan: Vendimet e BE-së për Shqipërinë dhe Maqedonine me ndikim në të ardhmen e tërë rajonit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të martën se vendimet që Bashkimi Evropian do të marrë për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të kenë ndikim në të ardhmen e tërë rajonit.

Kreu i shtetit turk i bëri këto komente gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili po mbahet në kryeqytetin Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.

Ai u shpreh se Turqia ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë gjithnjë mbështetje të fortë për integrimin e Ballkanit në institucionet euroatlantike.

“Vendimet që BE-ja do të marrë për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të kenë ndikim në të ardhmen e tërë rajonit. Nëse BE-ja i zhvillon këto procese në kundërshtim me angazhimet e saj, kjo do të dëmtonte jo vetëm paqen dhe stabilitetin e rajonit, por edhe besueshmërinë e saj”, u shpreh lideri turk.

Erdogani vuri në pah gjithashtu se politika e zgjerimit të BE-së kohët e fundit mbahet peng nga disa qarqe populiste “mendjengushta”.

“Rrymat diskriminuese dhe përjashtuese që kanë shënuar rritje në tërë kontinentin, nuk rrezikojnë vetëm paqen e brendshme të Evropës, por njëherësh ardhmërinë e saj dhe potencialin për të qenë shpresë. Ne besojmë se liderët evropianë do të veprojnë në një mënyrë vizionare dhe do t’i dalin zot idealit ballkanas për integrim në Evropë”, theksoi Presidenti Erdogan./ trt

OPINIONE