Erdogan: Zërat shqetësues në Mesdheun Lindor nuk do ta pengojnë Turqinë në rrugën e saj

Kreu i shtetit turk bëri deklarata të rëndësishme në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit përpara se të nisej për në kryeqytetin Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.

Ai u ndal mes të tjerash edhe mbi zhvillimet në Mesdheun Lindor.

“Tani anijet tona të sondimit po e vazhdojnë këtë proces në kuadër të udhërrëfyesit të tyre, në koordinim me aktivitetet e kërkimit dhe eksplorimit. Majtas-djathtas mund të ngrihen zëra shqetësues në lidhje me këtë çështje, por ne e kemi thënë edhe më parë që asnjë nga këta zëra nuk do të na pengojnë në rrugën tonë. Edhe sot jam në po të njëjtën pikë duke thënë të njëjtat gjëra”, u shpreh presidenti turk.

Pasi vuri në pah se procesin në fjalë po e vazhdojnë me të njëjtën vendosmëri si Turqia ashtu edhe bashkëkombësit në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Erdogani tha se ndjeshmërinë e tyre ua ka përcjellë edhe liderëve me të cilët është takuar gjatë Samitit të G20-s në Japoni.

Lideri turk rikujtoi gjithashtu se ai ka marrë në telefon dhe uruar liderin e Partisë Demokracia e Re (ND), Kyriakos Mitsotakis, i cili doli fitues nga zgjedhjet parlamentare të së dielës në Greqi.

“Unë shpresoj se do të vazhdojmë një proces të ri me Greqinë. Pas zgjedhjeve, ne do t’i vazhdojmë bisedimet tona me zyrtarët përkatës. Dëshira jonë është që në vijim të mos kemi më kurrë ndonjë telash në Egje dhe Mesdhe”, theksoi Presidenti Erdogan./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne