Erdogani për Ataturkun: Kishte besim dhe bindje të pafundme tek populli

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se veçoria më e madhe që e bëri Mustafa Qemali Ataturkun një komandant dhe lider që ka lënë gjurmë në histori është besimi dhe bindja e pafundme që kishte tek populli.

Erdoan ka publikuar një mesazh me rastin e 10 nëntorit, që përket me 79-vjetorin e vdekjes së Ataturkut.

“Themeluesin e Republikës tonë, Mustafa Qemalin e evokoj me respekt në 79-vjetorin e ndarjes prej nesh. Me luftën çlirimtare që udhëhoqi, me fitoret e pashoqe që korri dhe me Republikën tonë që ai krijoi duke e bashkuar popullin tonë përreth një ideali të përbashkët, Mustafa Qemali është një ushtarak hero, një lider i respektuar e i vlerësuar nga e gjithë bota”, shkruan Presidenti Erdoan në mesazhin e tij për Ataturkun.

“Në këtë përpjekje të madhe, të filluar në vitin 1919 nën udhëheqjen e Mustafa Qemalit dhe të kurorëzuar me themelimin e Republikës në vitin 1923, populli ynë i shtrenjtë i ndaloi me gjakun, shpirtin e zemrën e tij të gjithë ata që deshën të na lënë pa atdhe. Populli ynë i dashur, i cili e mbrojti me heroizëm atdheun dhe flamurin në luftën çlirimtare, i doli për zot të ardhmes dhe vullnetit të tij pavarësisht të gjitha rrethanave të vështira, edhe sot e zotëron zellin dhe vendosmërinë për të mposhtur të gjitha sulmet ndaj vendit tonë”, vijon mesazhi.

“Për të ruajtur plotësisht të pavarur deri në jetë të jetëve Republikën tonë, të cilën Mustafa Qemali e themeloi dhe ia la amanet rinisë, për ta çuar atë vazhdimisht gjithnjë e më përpara dhe për të realizuar objektivat e vitit 2023 ne bashkohemi përreth parimit “një komb, një flamur, një atdhe, një shtet”. Ne do të vazhdojmë të punojmë pa u trembur dhe pa u lodhur në stabilitet dhe duke ruajtur ngulmin e vëllazërisë, unitetit dhe tërësisë ndërmjet qytetarëve tanë për fuqizimin, rritjen e përmirësimin çdo ditë e më shumë të standardeve demokratike të Republikës”, shkruan më poshtë Presidenti Erdoan në mesazhin e tij, të cilin e përfundon me këto fjalë: “Me këto mendime, evokoj edhe një herë me respekt dhe mirënjohje në 79-vjetorin e vdekjes Mustafa Qemalin, themeluesin e Republikës tonë, dhe shokët e tij të luftës si dhe të gjithë trimat tanë që kanë sakrifikuar duke rënë dëshmorë dhe u plagosur për hir të atdheut.


NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne