Erdogani quan Asadin ‘terrorist’, Damasku do e kujtojë për krimet që ka bërë

Turqia është një nga garantuesit e armëpushimit sirian, ndërmjetësuar nga Rusia dhe Irani.

“Assadi është me të vërtetë një terrorist që ka kryer terrorizëm shtetëror”, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një konferencë televizive me homologun e tij tunizian Beji Caid Essebsi në Tunizi.

“Është e pamundur të vazhdosh dhe të merresh me Assadin, si mund ta presim të ardhmen me një president që ka vrarë rreth një milion qytetarë të vendit të vet?” tha ai.

Ministria e Jashtme siriane i është përgjigjur akuzave duke thënë se Erdogan po e mashtron opinionin publik në Turqi duke pretenduar se Assad nuk duhet të mbetet në pushtet, duke shtuar se kjo politikë e Ankarasë “shkakton pasoja katastrofike” për të dy vendet.

“Përsëri, Presidenti turk Erdogan po e mashtron opinionin publik në Turqi. Me flluska sapuni të padobishme, ai më kot përpiqet të justifikojë krimet që ka kryer kundër popullit sirian duke ndihmuar në maksimum grupet terroriste në Siri,” thuhet në deklaratën e ministrisë, transmeton agjencia e lajmeve SANA.

Asad i ka mohuar vazhdimisht akuzat për sulme të kryera ndaj civilëve.

Pavarësisht nga fakti që Turqia është ndërmjetës në bisedimet e paqes siriane, të cilat ndërmjetësohen gjithashtu nga Rusia dhe Irani, Asadi ka refuzuar më parë ta konsiderojë Ankaranë si partner apo një shtet garantues, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit.

Nga ana e saj, Ankaraja ka dërguar sinjale jo fort të qarta në lidhje me pikëpamjen e saj për të ardhmen politike të Sirisë. Në nëntor, Erdogan deklaroi se Turqia nuk i përjashtonte në të ardhmen kontaktet me Asadin, duke vijuar me një deklaratë që thoshte se Ankaraja nuk e konsideronte më Damaskun kërcënim. Sidoqoftë, që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011, Turqia së bashku me shumë shtete rajonale si dhe SHBA, i kanë bërë thirrje Asadit që të japë dorëheqjen.

Këtë verë, Turqia ngriti pika vëzhgimi në Afrin të Sirisë dhe vendosi trupat e saj atje për të mbështetur operacionin anti-terrorist të kryer nga Ushtria e Lirë Siriane, e cila ishte fushata e dytë e përbashkët në terren gjatë një viti. Ndërsa Ankaraja tha se për operacionin ishte rënë dakord në bisedimet e Astanasë, Damasku akuzoi Turqinë për “veprime agresive” që shkelnin ligjin ndërkombëtar./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne