Opinion

Erërat nga Uashingtoni bien në çadër dhe pasqyrohen në qeveri

Nga Fitim Zekthi

Që një protestë të ketë sukses, ajo duhet domosdoshmërisht të plotësojë dy kushte. Duhet të prodhojë një problem të madh e nuk duhet të izolohet ose duhet të fitojë dhe të ketë aleatë.

Paul dhe Mark Eangler, dy studiues nga universiteti i Filadelfias thonë se asnjë protestë që ka plotësuar këto dy kushte nuk ka qenë ndonjëherë e pasuksesshme. Protesta e opozitës me çadrën e ngritur në bulevard prej rreth një muaji e gjysmë ka krijuar një problem të jashtëzakonshëm, duke kërcënuar me mosfutjen në zgjedhje, problem që me kalimin e ditëve bëhet torturues për shumicën në qeveri.

Ndërsa në lidhje me aleatët është e dukshme se protesta jo vetëm nuk është izoluar, por ka shenja të rritjes së faktorëve që e përkrahin atë. Qeveria pa ndalur është përpjekur të prodhojë një narrativë tjetër, duke përdorur fuqinë e saj për marrëdhënie publike dhe ndikimin e madh në media. Së brendshmi protesta është e qartë se nuk është e izoluar, të gjitha partitë e opozitës janë aty siç ishin ditën e parë. Gjithashtu ka aty mjekë, pedagogë, punëtorë, inxhinierë, muzikantë, ekonomistë etj.

Ndonëse qeveria kishte në anën e saj në firmosjen karikatureske të kërkesës për zbatim të ligjit të vettingut aktorin Gaz Paja, ajo nuk mundi të prodhojë dot idenë e izolimit të brendshëm. Ajo ndonëse nuk ka mundur të gjejë asnjë zë ministri të Jashtëm të ndonjë vendi të BE-së, asnjë zëvendësministër të jashtëm të ndonjë vendi të NATO-s që të thotë se kërkesa për qeveri teknike është e padrejtë dhe e papranueshme, se protesta është pa kuptim dhe duhet të mbyllet, asnjë ambasador të BE-së ose SHBA-së që të thotë se opozita duhet të dalë nga protesta dhe të heqë dorë nga kërkesa për qeveri teknike, ka mundur të mbajë në këmbë idenë e izolimit të protestës, herë duke e bërë voluminoz zërin e një zëvendëskryetari komisioni të CDU-së sikur ai të jetë zëri i CDU-së, herë duke bërë të oshtijë zëri i një “zëdhënësi” të ambasadës amerikane që thotë se Shtëpia e Bardhë është kundër protestës.

Megjithatë përqendrimi kryesor i përpjekjeve për ta bërë të duket të izoluar ndërkombëtarisht protestën, (pra, për të mos i lejuar asaj kushtin e dytë që do ta bënte të suksesshme) është përsëritja e vazhdueshme e fjalisë se Presidenti Trump as që e di ku është Shqipëria, se nuk do të ndikojë fare fakti që kryeministri Rama e quajti atë fatkeqësi për Amerikën dhe botën para zgjedhjes etj. etj. Sigurisht që SHBA apo presidenti Trump nuk do të zgjohen në mëngjes dhe të thotë se do të heqim kryeministrin Rama apo do të detyrojmë qeverinë shqiptare të japë dorëheqjen.

Gjërat në Shqipëri ndryshohen nga Shqipëria dhe çadra ose protesta është mjeti për këto ndryshime, por protesta është edhe një mjet për të tërhequr vëmendjen e aleatëve, për t’i bërë ata të dëgjojnë. Në Shqipëri kaloi pa bujë të madh fakti që pesë senatorë i shkruajtën sekretarit të Shtetit për Shqipërinë dhe për gjendjen e rëndë që nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve në këto kushte. Mes senatorëve ishte edhe kandidati për president Ted Cruz, i cili siç dihet nga pjesa e fundit e garës u bë mbështetës i presidentit Trump dhe sot është njeri me akses të drejtpërdrejtë te presidenti.

Gjithashtu kryetari i PD-së Basha ishte në një darkë të Komitetit Kombëtar Republikan, ku ishte edhe presidenti Trump. Zyrtarisht u njoftua për takime me disa kryetarë komitetesh kongresesh, por edhe njerëz të afërt të stafit që drejtoi fushatën. Nuk është çështja se këto takime plotësojnë kërkesën për qeveri teknike, por këto takime bëjnë të dëgjohet fakti që opozita është në protestë dhe kryeministri është një njeri që është përgjegjës për përfshirjen në parlament apo zyra të tjera të shtetit të njerëzve të lidhur me krimin, për trefishimin e sipërfaqeve me hashash në dy vitet e fundit dhe ky kryeministër është ai që ka fyer publikisht presidentin para se të zgjidhej.

Stafi në Shtëpinë e Bardhë i presidentit Trump është shumë konservator, ai vjen pas një fushate shumë të egër elektorale, akoma lufta politike është e egër, kundërshtarët po luftojnë sikur fushata vazhdon. Administrata është thuajse plotësisht e paplotësuar, thuajse asnjë zëvendëssekretar në asnjë kabinet nuk është emëruar akoma. Njerëz me pikëpamje të forta konservatore si emërimi i gjyqtarit Neil Gorsuch do të shkojnë në zyrat e rëndësishme të departamentit për dy zëvendës/sekretarët, për nënsekretarët, për të paktën njëzet drejtorë dhe ndihmës/nënsekretarët. Do të vijë në ambasadën amerikanë në OSBE, në atë në NATO, në Francë, Britani, Itali etj., ambasadorë politikë të presidentit Trump, pasi ata që ishin kanë lënë detyrën.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha e ka lëvizur diskursin e tij duke e bërë më konservator në disa drejtime. Agjencia e lajmeve Breibart, që është agjencia e Steve Bannon, një nga njerëzit kyçë të Shtëpisë së Bardhë tha se Basha ka thënë se sulmohet nga njerëz dhe organizata të financuara nga Soros, se paratë e drogës po përdoren dhe do të përdoren gjerësisht në zgjedhje.

Pra, kjo lëvizje e diskursit, takimet me njerëz me ndikim, ndryshimet radikale që pritet të bëjë administrata, do të bëjnë shumë të afërt opozitën me njerëzit dhe pikëpamjet e administratës. Të gjithë ata që thonë se Trump nuk e di ku bie Shqipëria dhe se Amerika nuk do merret me ne janë krejt gabim sepse Trump dhe administrata e tij janë krejt ndryshe, ata nuk janë një administratë konvencionale që vepron mbi termat që gjen.

Njerëzit që ai emëron janë të afërt dhe shumë të afërt me të në mendësi. Kjo është një administratë shumë konservatore dhe vihet re që vendimet e para, si: rishikimi i reformës më të madhe të Obamës, ajo e kujdesit shëndetësor (pavarësisht ngecjes së përkohshme në kongres), nxjerrja e urdhrit për heqjen e dhomave apo banjove për transxhenderat që mbahej si vendim epokal i një revolucioni kulturor të demokratëve, përpjekjet për të zgjidhur krizën në Siri në mënyrë krejt ndryshe nga Obama, duke planifikuar sulm ndaj qytetit Raqa me kurdët, duke e mbyllur përfundimisht çështjen e qëndrimit të Assad në pushtet, duke e cilësuar Turqinë një vend kyç dhe aleat të fuqishëm etj. etj.

Në këtë kuptim protesta e PD-së do të bëhet gjithnjë e më shumë me aleatë më të fuqishëm. Ambasadori amerikan në Tiranë nuk mund të dalë e të thotë që PD duhet të dalë nga çadra apo që nuk duhet të kërkojë qeveri teknike. Futja në zgjedhje e kryeministrit me Blushin, Topin dhe Bojaxhiun do të ishte vetëm një aventurë që jo vetëm do t’i ekspozonte ata më shumë ndaj protestës dhe ndaj ndërkombëtarëve, sidomos SHBA-së, por edhe do t’i vinte përballë një fakti të vërtetuar historik, ku çdo protestë që prodhon një problem të madh dhe ka aleatë nuk dështon.

Më shumë është në diskutim çështja nëse PD do të mundet të veprojë siç po flet Basha, do të mundet të adaptojë qëndrime më konservatore dhe më të djathta dhe t’iu ikë atyre liberale-majtiste, në mënyrë që të rezonojë më shumë me atë çfarë është një e djathtë dhe me atë që fryn nga Uashingtoni./ mapo

OPINIONE

INTERVISTA