Erion Veliaj i përdori foton e të birit si imazh në mitingun e PS, reagon i revoltuar aktivisti: Neveri! Rastin do ta ndjek në gjykatë

Aktivisti Besjan Pesha reagon i revoltuar, pasi mësoi se dje në mitingun e Partisë Socialiste në sheshin ‘Nënë Tereza’ ishte përdorur një foto e djalit të tij si imazh elektoral.

Ai thotë se foto është publikuar në 28 nëntor të 2015 kur i biri mbolli një rrënjë ulliri me rastin e pavarësisë, ndërsa po ajo foto është shfaqur dje në ekranin gjigant të aktivitetit të PS në Tiranë.
Ai sqaron se rastin do ta ndjekë në gjykatë, pasi foto e djalit të tij është përdorur në mënyrë abuzive.

Reagimi:

Kleptokracia në këtë vend po arrin nivelin e perversitetit.
Dje në mbrëmje një miku im më njoftoi se foto e tim biri ishte përdorur si imazh elektoral në ekranin gjigand të paradës qeveritare.
Foto, siç dallohet qartë më poshtë, është shkrepur në 28 nëntor të 2015 ku im bir mbolli një ulli me rastin e pavarësisë.
Duhet të jesh shumë pervers që të rrëmosh arkivat personale të dikujt dhe të grabisësh prej aty fotot e fëmijës. Duhet të jesh sëmurë që më pas këto imazhe ti përdorësh si fasadë për qëllime elektorale. Duhet të jesh kleptoman që të mos mjaftohesh me vjedhjen e fondeve publike duke shpenzuar psh 5.8 mln euro për vetëm 600m te Bulevardi Zogu i Parë, apo me grabitjen e truallit publik si në rastin e Teatrit Kombëtar, apo me zhvatjen e lulishteve publike si në rastin e ish parkut të autobusave, apo të xhepave më të varfër si në rastin e biletës së autobusit, apo të jetëve të fukarenjve si në rastin e ambulantëve që lihen pa bukë në funksion të kioskave…e pra duhet të jesh sëmurë që të mos ngopesh nga gjithë këto bëma e gjëma e të shkosh e të vjedhësh edhe imazhet, freskinë, pafajsinë e fëmijëve të të tjerëve…
Neveri!
E pyeta tim bir dje se çfarë mendonte dhe ai më tha tekstualisht “Nuk më duket e drejtë që përdorin foton e fëmijëve pa i pyetur më parë”
Heshta!
Këtë rast do ta çoj në gjykatë. Do e çoj për veten time, për tim bir, por edhe për ti treguar rrugën gjithë atyre prindërve të cilët ose janë ndodhur ose me siguri do të ndodhen në një situatë të ngjashme.
Uroj e besoj të gjej drejtësi!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne