Pas një proteste të opozitës dy vite më parë, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj postoi në Facebook një gjobë me vlerë 163 milion lekë të vjetra për Partinë Demokratike. Gjoba u kontestua më pas nga vetë polici bashkiak dhe prokuroria hetoi për falsifikimin e firmës së tij.
Dy vjet më pas, Veliaj ka bërë qokën e radhës kundër opozitës, por nuk ka rrezikur me përpilimin e gjobave të rreme.
Sipas Veliajt, Tirana humbi miliona euro shpenzime me bllokimin e qarkullimit të mjeteve për një orë.
“Edhe në një ditë si kjo e sotmja, kur patëm bllokim rrugësh, njerëzit duhet të kuptojnë se një orë e bllokuar në Tiranë, janë disa milionë euro shpenzime të qytetit, në shërbime të munguara në transport, në punë të pambaruara”, tha Veliaj.
I shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko, Veliaj e quajti protestën e opozitës, një histeri kolektive.
“Ende nuk është mbushur viti nga 1 Qershori, kur patëm një debat dhe një sërë protestash pa kuptim, ndaj mendoj se është më mirë që të flasë puna se sa fjalët, debatet apo histeria kolektive”, u shpreh ai.