A është Rama përgjegjësi kryesor për drogën?

TOMOR ALIZOTI

Këto ditë, Shqipëria është kthyer në qendër të lajmeve mbi trafikun ndërkombëtar të drogës edhe në mjaft media të rëndësishme të huaja. Lajmet mbi trafikun e drogës nga Shqipëria apo mbi trafikantët shqiptarë të drogës, të cilët kanë arritur të jenë aktorë kyç në rrjetet ndërkombëtare, kanë gëluar me vite dhe kanë pushtuar me vite faqet kryesore të mjaft mediave, duke humbur çdo befasi për shkak të shpeshtësisë dhe shndërrimit të tyre në rutinë.

Këto ditë, befasia është rikthyer, sepse në qendër të këtyre lajmeve është ishministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e rrjeteve të trafikut, madje mbështetësi apo edhe ideuesi i një rrjeti të madh apo diçkaje ende të paqartë (mund të jetë edhe faktori kyç në mbjelljen e vendit me hashash). Në Shqipëri, Tahiri i ka punët keq. Kryeministri e ka hedhur në duart e Prokurorisë, duke u përpjekur të lajë duart, në tentativë që të shfaqet i pafajshëm, i papërzier etj.

E gjithë klasa politike po flet, po kërkon hetime, po kërkon përgjegjësi. Opozita thotë se në krye të kësaj ndërmarrjeje nuk është Tahiri, por Kryeministri, ndërsa qeveria, me gjithë mjetet dhe njerëzit e saj, po rreket të thotë se Tahiri, në rast se ka kryer krim, e ka bërë i vetëm dhe pa përfshirë në të ndonjë aktor tjetër politik, e aq më tepër Kryeministrin.

Qeveria madje po shkon aq larg, sa po përpiqet ta përdorë ngjarjen në dobi të saj, duke dashur ta paraqesë veten si një forcë që ndahet menjëherë nga e keqja, që e lufton të keqen, etj. Trafiku ndërkombëtar i drogës është një gjë e njohur dhe e studiuar gjatë nga kriminologë të njohur, nga sociologë të krimit dhe të politikës, nga kolonelë apo gjeneralë të Policisë dhe Ushtrisë, të cilët prej dekadash kanë hetuar (dhe luftuar) klane, kartele, grupe kriminale në Kolumbi, Meksikë, Itali, Spanjë Holandë, etj., etj.

Në këtë kontekst, nuk ka mbetur shumë për të thënë për rastin shqiptar apo për t’u zbuluar nga rasti shqiptar, mbi mënyrën se si funksionon, se si lidhet krimi me politikën dhe se si krijohet mekanizmi i sofistikuar që e bën atë të strukturohet dhe kryejë aktivitete kriminale lirisht. Shqipëria ka një rol kyç në një trafik ndërkombëtar droge, sepse ndodhet pranë një rajoni shumë të pasur si BE-ja.

Të njëjtin rol kyç kanë Meksika apo Kolumbia, që janë pranë SHBA-ve. Pra, krimin ndërkombëtar do ta synojë Shqipërinë ose vende që kanë gjeografinë e saj. Nuk mund të kryejë trafik ndërkombëtar droge Gambia apo Mongolia, me gjithë qeveritë e dobëta atje, dhe as Islanda, e cila ka qeveri shumë të fortë, dhe nuk mund të lejojë rrjetet ndërkombëtare të krijojnë struktura për këtë trafik.

Pra, nga pikëpamja gjeografike, Shqipëria plotëson kushtet për të qenë një vend me rëndësi në trafikun e drogës. Sa i përket shtetit ligjor, luftës së policisë, lidhjes së politikës me krimin, lehtësirave që i ofrohen krimit, Shqipëria është vendi me mundësitë më të mëdha, siç edhe po duket. Studiuesit thonë se trafiku ndërkombëtar i drogës, kur arrin të ketë struktura të tilla si pisat për ulje avionësh, kur kanë mundësi të mbjellin parcela të tëra me drogë, kur kanë mundësi të kalojnë skafe në det me ngarkesa hashashi, është në kontakt, ka mbështetjen e politikanëve të lartë që arrijnë të marrin vendime të mëdha.

Dhe në këtë rast duket se Tahiri ka qenë një nga këta politikanë në majë të vendimmarrjes. Studiuesit thonë se kur ky trafik vazhdon për një kohë të gjatë, me gjithë dyshimet se ai kryhet, me gjithë akuzat që bëhen nga aktorë publikë se qeveria është e përfshirë, me gjithë debatin publik në qendër të të cilit janë akuzat ndaj qeverisë për përfshirje, dhe nuk ka reagim, atëherë vetë qeveria është në zemër të këtij trafiku. Kriminologë të njohur thonë se kur qeveria refuzon ta pranojë një realitet të tillë, lufton kundër atyre që e denoncojnë, madje i përndjek ata, si në rastin e oficeri Zagani, atëherë maja e qeverisë është në shërbim të trafikut.

Dhe në fakt është e thjeshtë dhe e kuptueshme për çdokënd që Kryeministri ka qenë zëri më i egër kundër denoncuesve, dhe mbrojtësi më i madh i Tahirit. Kryeministri ka qenë ideatori dhe orkestruesi i sulmeve të egra kundër opozitës, duke e etiketuar atë si kriminale, sepse akuzon policinë apo Tahirin, ndërkohë që policia ishte e kriminalizuar dhe Tahiri dyshohet se është po ashtu i përfshirë.

Studiuesit e trafikut, e lidhjeve të krimit me politikën, do të shtangeshin po t’u thoshe se kjo ka ndodhur me dijeni të Tahirit, por jo të Kryeministrit Rama. Strukturalisht, funksionalisht ky trafik nuk mund të bëhet në qoftë se Kryeministri nuk do apo është kundër. I vetmi shpëtim për Ramën është hamendësimi se ai mund të ketë qenë nën shantazh me jetën dhe familjen nga krimi ndërkombëtar, dhe nga Tahiri, dhe Kryeministri nuk ka pasur fuqi dhe kurajë të reagojë. Në këtë rast të gjithë duhet të jemi me Ramën, përndryshe duhet të jemi kundër të gjithë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne