Euronews: Shqipëria në prag të një kolapsi institucional

“Shqipëria është në prag të një kolapsi institucional”. Kështu e nis artikullin për vendin tonë rrjeti Euronews.

“Situata politike po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, pas çarjes që është krijuar mes qeverisë së udhëhequr nga socialistët, kryesuar nga Edi Rama dhe Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha”, thuhet në artikull.

Referuar protestës së opozitës, artikulli thotë se “mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit. Disa protestues tundnin flamuj amerikanë, europianë dhe gjermanë. Për kryeministrin, objektivi kryesor i opozitës është të ndalojë përpjekjet e vendit për të filluar negociatat e plota të pranimit me Bashkimin Evropian. Ndërkohë, Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka vendosur të shtyjë datën e zgjedhjeve me një dekret, për shkak të rrezikut të pjesëmarrjes së ulët.”

Më tej në shkrim thuhet se “Ndërkohë socialistët akuzohen nga opozita për bashkëpunim me krimin e organizuar, ndërsa për t’i bërë gjërat edhe më keq, Basha është nën hetim për përdorimin e papërshtatshëm të burimeve financiare nga Shtetet e Bashkuara”.

Nga ana tjetër Presidenti Meta përsëriti se “nuk është koha për të bërë teste forcë, as për retorikën që ndan. Ne kemi nevojë për dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë së lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e procesit të integrimit evropian, si një objektiv shtetas i të gjithë shqiptarëve “. Duke theksuar domosdoshmërinë e dialogut, Presidenti i Republikës tha se ishte i gatshëm “të kontribuojë në një zgjidhje sa më parë të jetë e mundur”. Megjithatë, shumica e qendrës së majtë beson se kreu i shtetit është vendosur me opozitën”, mbyllet artikulli i Euronews./oranews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne