Eurostat: Dyndja e azilantëve shqiptarë në Europë nga viti 2014-të, me shifra rekord

Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka kapur shifra rekord, duke marrë në konsideratë edhe peshën ndaj popullsisë. Fenomeni është kthyer shqetësues edhe për Bashkimin Europian, ku Franca dha si një nga arsyet kryesore numrin në rritje të azilkërkuesve nga Shqipëria.

Sipas të dhënave të Eurostat, të pasqyruara në grafikun më poshtë, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria ka shënuar rritje të fortë pas vitit 2014, ndërsa në 2015-n Shqipëria do të shënonte rekord historik, ku në vendet anëtare të BE-së aplikuan për azil 67,950 shqiptarë, në të gjithë Bashkimin Europian.

Prej 2009-s aplikuan në total 191,200 shqiptarë.

Mesatarisht 80% e aplikuesve për herë të parë për azil ishin më të rinj se 34 vjeç. Në vitin 2018, sipas Eurostat 79.3% e azilkërkuesve shqiptarë i përkisnin kësaj grupmoshe, 29% e tyre ishin më të rinj se 18 vjeç, ndërsa 50% e aplikuesve i përkisnin grupmoshës 18-34 vjeç. Aplikantët për azil për herë të parë nën 34 vjeç përbënin 1% të popullsisë së asaj grupmoshe.

Numri total i aplikimeve për herë të parë të të rinjve, sipas publikimit të Eurostat është 140,390 nga viti 2009. Sigurisht që edhe për këtë grupmoshë, rekordi i aplikimeve u arrit në vitin 2015, me një numër prej 53,175 aplikimesh. Në tre vitet në vijim, numri i aplikimeve të reja ka ardhur në rënie.

Një ndër shkaqet kryesore pse po bie numri i aplikimeve të reja është shkalla e lartë e refuzimit nga vendet e BE-së. Për të njëjtën periudhë (2014-2018) refuzimet e aplikimeve nga shqiptarët në instancat më të larta përllogariten të jenë sa 62% e totalit të aplikimeve për herë të parë. Në total, numri i refuzimeve në instancat më të larta ishte 96 mijë e 435 refuzime. Në 2018-n, numri i refuzimeve ishte mbi 10 mijë dhe thuajse gjysma e tyre janë shënuar në Francë.

Për sa u përket refuzimeve të aplikimit, ndër vendet raportuese numrin më të lartë e kanë Gjermania dhe Franca, ku në këtë të fundit refuzimet ishin 37,700, ndërsa 14% e tyre ishin për aplikuesit nga Shqipëria./monitor/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne