Evropa në rrezik, SHBA rihap një garë të re për armatime bërthamore në Evropë

SHBA këtë të premte mund të vendosë për daljen përfundimtare nga Marrëveshja INF. Ajo garanton kufizime në armatimet bërthamore. Tani mund të fillojë një garë e re e rrezikshme.

Sipas informacioneve të Agjencisë gjermane të lajmeve DPA, SHBA dotë bëjë publik këtë të premte vendimin për daljen nga Marrëveshja për kufizimin e armëve bërthamore.

Autoritetet amerikane kanë njoftuar me këto qëllime edhe partnerët e tyre në NATO.

Në organizatën veriatlantike është planifikuar që të mbështesin menjëherë qëllimet e SHBA me një deklaratë. Por deri tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar të këtij vendimi.

Sekretari amerikan Mike Pompeo ka ftuar përfaqësuesit e mediave që në orën 14.30 të ndjekin një deklaratë të Departamentit të Shtetit në Uashington.

Vendimi për largimin nga kjo Marrëveshje do të futej në fuqi në gusht, pas kalimit të afatit të parashikuar ligjor prej gjashtë muajsh.

Preteksi për pezullimin e Marrëveshjes INF nga ana e SHBA-së është pretendimi amerikan për sistemet raketore ruse 9M729 (NATO-Code: SSC-8).

SHBA ka dhënë një ultimatum prej 60 ditësh për shkatërrimin e këtyre pajisjeve. Ultimatumi skadon të shtunën. Por Rusia ka bërë të ditur para javësh se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA dhe nuk i bie ndërmend t’i shkatërrojë këto pajisje,  pasi sipas të dhënave ruse, 9M729 mund të shkojë në një largësi deri në 480 km.

Marrëveshja INF (Intermediate Range Nuclear Forces) është nënshkruar në vitin 1987 nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik i atëhershëm.

Ajo obligon të dy palët që të heqin dorë nga raketat që arrijnë një largësi mes 500  dhe 5500 kilometra. Njëkohësisht ndalohen edhe testimet e sistemeve të këtilla.

Për Evropën kjo është një çështje tepër e rëndësishme, sepse pezullimi i Marrëveshjes INF mund të rihapë një garë të re armatimesh në Evropë.

Ekspertët ushtarakë mendojnë se vetëm me këtë marrëveshje mund të ruhet balanca e sigurisë. Përfaqësuesi i CDU/CSU në parlament Johann David Wadephul ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) nga mundësia e stacionimit të armëve të reja atomike në territorin e Evropës.

Maasi është deklaruar kundër stacionimit të sistemeve të reja raketore në Gjermani dhe Evropë, në qoftë se SHBA pezullon Marrëveshjen.

Ndërsa ekspertët thonë se dalja eventuale e SHBA nga kjo Marrëveshje do të thoshte praktikisht edhe vdekje e saj.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne