Facebook krijon një qendër të re censurimi në Gjermani

Facebook njoftoi të javën e kaluar se do të hapte një qendër të re kontrolli në Essen me 500 punonjës. Si rezultat, numri i punëtorëve përgjegjës për censurimin dhe kontrollin e përmbajtjeve në Gjermani pothuajse do të dyfishohet. Kompania deri më tani ka vetëm një qendër të tillë në Berlin.

Facebook është përpjekur shumë për të mbuluar punën e qendrave të kontrollit. Ndërsa dokumentet e trajnimit dhe udhëzimet e brendshme për punëtorët janë mbajtur në mënyrë strikte sekrete, kompania organizoi një turne në qendrën e Berlinit për media të zgjedhura një muaj më parë.

Transmetuesi publik WDR, Die Zeit dhe Spiegel Online u lejuan të shikojnë në ekranet e mbyllura dhe t’u bëjnë pyetje punëtorëve të punësuar posaçërisht për rastin në zyrat e Arvatos, një degë e Bertelsmann, e cila kryen fshirjet për Facebook. Të treja mediat i përqendruan raportet e tyre të mëvonshme mbi kushtet e vështira të punës së punonjësve dhe i paraqitën ata si përgjegjës vetëm për fshirjen e videove të prerjeve brutale të kokave dhe pornografisë së fëmijëve.

Në fakt, miliona përdorues të internetit janë duke u censuruar sistematikisht në zyrat e mbyllura hermetikisht. Raportet rreth fshirjes së postimeve kritike dhe bllokimit të autorëve të krahut të majtë dhe progresiv janë rritur me shpejtësi në muajt e fundit.

Dhjetorin e kaluar, për shembull, një postim nga satiristi Leo Fischer u fshi. Fischer vendosi titullin ksenofobik të gazetës Bild të krahut të djathtë, “Debati i madh rreth perceptimeve të refugjatëve për gratë”, krahas fotografive të rregullta të së njëjtës gazetë të grave me bikini dhe e shkrepi. Ai nuk u sulmua vetëm nga ekstremistët e krahut të djathtë, por u fshi edhe nga Facebooku, sepse postimi dyshohej se kishte shkelur rregullat e komunitetit.

Me të njëjtin arsyetim, Facebook bllokoi autoren austriake Stephanie Sargnagel për 30 ditë. Profili i saj ishte dënuar nga përdoruesit e krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në një fushatë të bashkërenduar. Sargnagel kishte postuar komente satirike kundër ksenofobisë dhe racizmit, dhe për këtë arsye përfundoi në shënjestrën e ekstremit të djathtë dhe kompanisë së internetit.

Blogeri me qendër në Berlin, Jörg Kantel gjithashtu raportoi se disa nga postimet e tij u fshinë. Pasi Bild përdori dhunën që rrethoi samitin e G-20 në Hamburg për të botuar fotografi të protestuesve të supozuar nga Hamburgu, Kantel shkroi ndër komentet e tjera: “Gjermania, një vend denoncuesish dhe mbikëqyrjeje. Të paktën që nga viti 1933!” Sipas blogerit, Facebook i fshiu postin.

Lista e autorëve të censuruar mund të zgjerohet sipas dëshirës. Përveç kësaj, ka nga ata që shkojnë pa u vënë re, sepse u mungon rëndësia e individëve të përfshirë në rastet e diskutuara. Guardian zbuloi më 21 maj se Facebook po e kryente këtë punë në mënyrë sistematike. Gazeta siguroi 100 dokumente trajnimi për punëtorët në qendrat e kontrollit dhe arriti në përfundimin se ata ishin alarmues për avokatët e fjalës së lirë.

Ndërsa postimet që përkrahin dhunën ekstreme dhe vrasjet brutale ose që përmbanin fyerje konsideroheshin si jo-problematike, punonjësit urdhëroheshin që t’i fshinin menjëherë postimet si “dikush të qëllojë Trumpin”, sepse si kreu i qeverisë, Trumpi ishte pjesë e një “kategorie të mbrojtur”. Liria e fjalës pra zbatohet në Facebook vetëm për aq kohë sa qeveria, e cila konsiderohet e denjë për mbrojtje, nuk sulmohet.

Kjo është një shkelje e qartë e lirisë së fjalës, e cila mbi të gjitha mbron të drejtën e popullatës për të kritikuar qeverinë.

Lidhjet e ngushta midis qeverisë dhe aparatit të censurës së korporatës kryesore janë veçanërisht të qarta në Gjermani. Edhe pse më 1 korrik vetëm 1.5 përqind e përdoruesve të Facebook vinin nga Gjermania, 16 përqind e 7,500 censorëve të Facebook-ut do të punojnë në Gjermani deri në fund të vitit kur objekti i ri të jetë në punë. Në fund të qershorit, parlamenti federal miratoi të ashtuquajturin Ligji për Zbatimin e Rrjetit, i cili detyron kompanitë si Facebook të përmbushin përgjegjësitë e një censure. Pa asnjë vendim gjyqësor, kompania duhet të fshijë “përmbajtje në dukje të paligjshme” brenda 24 orëve, ose do të përballet me një gjobë deri në 50 milionë dollarë. Kompanive kryesore u mbetet të përcaktojnë se çfarë është “padyshim e paligjshme”.

Censurimi i Internetit nga qeveria dhe korporatat nuk është aspak i kufizuar në Facebook. Google, monopoli i motorëve të kërkimit, ka zhdukur gjithëato faqe interneti nga rezultatet e kërkimit, duke i bërë ato të paarritshme për miliona lexues.

Ky operacion u zbatua gjithashtu përmes konsultimeve të ngushta me qarqet qeveritare gjermane. Më 25 prill, kryeinxhinieri i kërkimit të Google, Ben Gomes, njoftoi se Google do të degradonte informacionin “me cilësi të ulët”, siç janë “teoritë e konspiracionit” dhe “lajmet e rreme”.

Vetëm tre javë më parë, Gomes u takua me përfaqësuesit e të gjitha qeverive të shtetit gjerman për të diskutuar mbi funksionalitetin e motorëve të kërkimit.

Masat e censurimit të Google rezultuan në degradimin (kalimin në faqe të largëta kërkimi praktikisht të paaritshme) e faqeve të shumta të internetit anti-luftës dhe të publikimeve të majta. World Socialist Web Site ishte shënjestruar në veçanti, me trafikun e kërkimit të Google të reduktuar në 67 për qind.

Qasja ndaj një censure të tillë agresive nga qeveria dhe korporatat e mëdha mund të shpjegohet vetëm nga konfliktet shoqërore në rritje. Politikat e militarizmit dhe sulmeve sociale po ndeshen me kundërshtim nga shumica dërrmuese e popullsisë punëtore. Lufta dhe kapitalizmi janë të papërputhshme me të drejtat themelore demokratike.

Kjo është arsyeja pse të gjitha partitë e përfaqësuara në parlamentin gjerman po bëjnë thirrje në programet e tyre zgjedhore për forcimin e aparatit shtetëror dhe censurimin e internetit. Koncepte të tilla si “lajmi i rremë” ose “gjuha e urrejtjes” shërbejnë në këtë kontekst për të justifikuar represionin shtetëror. Gënjeshtrat e mediave kryesore dhe agjitacioni nga të gjitha partitë kundër refugjatëve, po përhapen pa pengesë.

Në programin e saj, Partia Social Demokratike (SPD) e përshkruan “lajmin e rremë” si “një rrezik të madh për bashkëjetesë paqësore dhe për një shoqëri të lirë dhe demokratike”. Prandaj, ajo kërkon “trajnimin dhe pajisjen më të mirë të autoriteteve policore dhe sistemit gjyqësor në këtë fushë.” SPD synon të mbajë Ligjin për Zbatimin e Rrjetit dhe të shkurtojë edhe më shumë “kohën e reagimit”. “Kushdo që nuk i përmbahet dispozitave do të dënohet me dënime të dhimbshme financiare.”

Partia e Majtë gjithashtu bën thirrje për më shumë policë dhe për të ndërmarrë veprime kundër “sulmeve verbale” online. “Ne duam të mbrojmë sigurinë e qytetarëve në hapësirat publike me më shumë personel”, thuhet në programin e tyre zgjedhor. “Në rrjetet sociale, si në hapësirat publike në përgjithësi, duhet të zbatohen mbrojtja kundër sulmeve verbale, gjuhës së urrejtjes dhe vrasjes së karakterit”.

Nuk është rastësi që kjo zgjedhje fjalësh të përkujton fushatën e mediave kryesore kundër World Socialist Web Site dhe Rinisë dhe Studentëve Ndërkombëtarë për Barazi Sociale. Për shkak se ata kritikuan deklaratat ekstremiste të krahut të djathtë, të cilat më pas u konfirmuan si të tilla nga një gjykatë, nga profesori i Universitetit Humboldt, Jörg Baberowski, akuzat për “ngacmim” dhe “vrasje të karakterit” iu drejtuan atyre.

Frankfurter Allgemeine Zeitung u ankua pak para vizitës së Gomes në Berlin për atë se “sa i efektshëm është grupi i copëtuar trockist”, dhe kërkoi që WSWS të censurohej – një kërkesë që e Google ka përmbushur që nga ajo kohë.

Christoph Vandreier

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne