Familja e lideres së burgosur nga Kashmiri ka frikë për sigurinë e saj

Familja e Asiya Andrabi, një lidere grua pro-lirisë e burgosur nga Xhamu dhe Kashmiri i administruar nga India, ka shprehur shqetësimin për shëndetin dhe sigurinë e saj.

Andrabi, 60 vjeçare, e vendosur në burgun Tihar të kryeqytetit indian New Delhi dhe akoma një e burgosur nën gjykim është zhvendosur në repartin e dënimit ose burgjeve në fillim të kësaj jave, ku të burgosurit përballen me orar të rreptë, përfshirë punën e detyruar fizike, pohoi djali i saj, Ahmed bin Qasim.

Ajo është zhvendosur në burgun e sigurisë së lartë Tihar nga Srinagar në vitin 2018.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) Qasim tha se dy bashkëpunëtorë të nënës së tij, Naheeda Nasreen, 54 vjeçar dhe Fehmeeda Sofi, 32 vjeçare, po ashtu janë zhvendosur në të njëjtin repart ndëshkues.

“Nëna ime është hipertensive, astmatike dhe ka artralgji. Zhvendosja e saj në një vend ku kushtet janë të tmerrshme dhe orari është shumë i rreptë, është e barabartë me luajtjen me shëndetin dhe jetën e saj”, tha Ahmed, babai i të cilit, Qasim Factoo po kalon gjithashtu një dënim në burg që nga viti 1993.

Sipas Ahmedit, babai i tij ishte liruar për pak kohë në vitin 1999 për katër muaj kur një gjykatë e ultë e shfajësoi atë nga akuzat për vrasje. Por, gjykata e lartë indiane e rrëzoi vendimin.

“E kam parë nënën time disa javë para se të transferohej në burgun Tihar nga Srinagar. Shëndeti i saj nuk ishte i mirë as në atë kohë. Kushtet johigjenike, ushqimi nën standard dhe mbi të gjitha torturat e vazhdueshme mendore tashmë e kanë përkeqësuar shëndetin e saj”, tha Ahmed.

Ai tha se arsyet e këtij veprimi mund të jenë ushtrimi i presioneve mendore dhe fizike ndaj nënës së tij.

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe grupeve për të drejtat e njeriut që të bëjnë më shumë presion mbi Indinë kundër izolimit të paligjshëm dhe torturimit të nënës time, krimi i vetëm i të cilës është se ajo lufton për të drejtën e saj të vetëvendosjes të dhëna nga OKB-ja”, tha ai.

Kushëriri i Ahmedit, Syed Mujahid Gilani, praktikant mjekësor tha se Andrabi ka qëndruar prapa grilave gjatë 12 viteve të fundit dhe burri i saj Factoo po ashtu ka përfunduar 27 vjet burg.

Ahmed së bashku me vëllain e tij të madh Muhamed bin Qasim u rritën pa përkujdesjen prindërore. Muhamedi madje mori nofkën e të qenurit i burgosuri më i ri, duke e kaluar fëmijërinë me të ëmën në burg.

– Kush është Asiya Andrabi

Andrabi është themeluese e Dukhtaran-e-Millat (DeM) ose vajzave të kombit, i cili është i jashtëligjshëm për gjoja mobilizimin e grave kundër sundimit indian.

Ajo posedon master diplomë në letërsinë arabe dhe ka diplomuar në biokimi ndërsa u bë prominente kur nisi një fushatë kundër të këqijave sociale nën flamurin e DeM.

Ajo për herë të parë u arrestua në vitin 1993 dhe që atëherë është përballur me shumë arrestime. Herën e fundit, ajo u fut në paraburgim në tetor vitit 2016. Megjithëse u la e lirë disa muaj më vonë, por u mbajt në arrest shtëpie, vetëm për t’u arrestuar sërish dhe transferuar në burgun Amphala Jammu në vitin 2017.

Në korrik vitit 2018, ajo u zhvendos në burgun Tihar, ku dy udhëheqësit kryesorë të Kashmirit, Maqbool Bhat dhe Afzal Guru, u varën në vitin 1984, gjegjësisht në vitin 2013.

– Rezoluta e Senatit

Dhoma e Sipërme e Pakistanit, Senati, të premten njëzëri miratoi një rezolutë, duke dënuar transferimin e Andrabi në repartin e dënimit të burgut Tihar.

I nxitur nga senatori Mushahid Hussein, rezoluta kërkon lirimin e parakohshëm të Andrabi dhe të burgosurve të tjerë politikë në Kashmir.

Ministri i Informacionit, senatori Shibli Faraz, në një postim në Twitter shprehu shqetësime për arrestimin e “zgjatur” të Andrabi dhe kërkoi lirimin e saj të parakohshëm.

“Burgosja e një gruaje të moshuar dhe të sëmurë muslimane, bazuar vetëm në ideologjinë politike të saj, është një reflektim i mentalitetit imperialist të qeverisë indiane”, tha ai.

India dhe Pakistani e mbajnë Kashmirin me shumicë myslimane në pjesë dhe e pretendojnë atë plotësisht. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar.

Disa grupe në Xhamu dhe Kashmir kanë luftuar kundër sundimit indian për pavarësi ose bashkim me Pakistanin fqinj.

Sipas disa organizatave për të drejtat e njeriut, mijëra njerëz raportohet se janë vrarë në konfliktin në rajon që nga viti 1989./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne