“Familja Muslimane e Karatesë”, 250 medalje gjithsej

Familja Backa numëron rreth 250 medalje, kryesisht medalje ari në sportin e karatesë. Pjesëtarët e kësaj familjeje janë shpallur disa herë radhazi kampion kombetarë e ballkanikë. Mirandi mban “Rripin e zi”, që në karate tregon një nivel të lartë.

“Familja ime përbëhet nga 6 anëtarë, unë si kryefamiljar i saj, bashkëshortja ime Alketa. Djali im i madh, Abdullai 14-vjeçar, i cili numëron 110 medalje në karrierën e tij, e që ka filluar që 2 vjeç, është mjeshtër i Brezit të zi. Xhejdah është 10-vjeçare dhe është kampione kombëtare. Edhe ajo numëron 60 medalje në karrierën e saj. Edhe Isra ka filluar në moshën dyvjeçare, ajo është ‘Brezi i verdhë’, ndërsa Amira e vogël fare, vetëm 1 vjeç e gjysmë”, thotë Mirandi.

Mirandi e ka trashëguar dashurinë për sportin nga babai i tij, që ka qenë atlet. Më pas ndikuan filmat me Bruce Lee dhe Van Damme. Në rolin e dyfishtë, si baba e instruktor, Mirandi tregon se ka edhe momente të vështira për t’u menaxhuar.

“Fëmijët e mi janë më të privilegjuarit nga njëra anë, e nga ana tjetër e medaljes ata janë më të persekutuarit. Unë nëse dua të bëj dikë shembull, bëj fëmijën tim”, vijon Mirandi.

Fëmijët shpesh rivalizojnë njëri-tjetrin dhe janë gjithnjë në garë se kush do të dalë kampion.

“Kompeticioni më i vështirë ka qenë Kampionati Ballkanik që u zhvillua në Stamboll. Më erdhi më shumë inat, sepse dola i dyti dhe nuk arrita dot të dilja kampion”, thotë Abdullai.

“Kur kam shkuar në Kupën e Botës, kur kam dalë kampione bote tri herë”, thotë Xhehajda.

Për shumë sy, habia nuk qëndron te fakti se një familje e tërë merret me karate dhe as te mosha e vogël që fëmijët e kanë nisur këtë sport, por që një grua e mbuluar mund të ushtrojë karate.

“Çuditen, më shohin kështu. Me karate ti? Ose kur thonë ‘nusja e Mirandit merret me karate’ presin jo një të mbuluar. Kam 3 vite shkoj në palestër tri herë në javë sistematikisht”, thotë Alketa.

Pritet që Amira, një vjeç e gjysmë t’i bashkohet shpejt pasionit të familjes./ tch

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne