Fatmir Mediu: Të na gjejnë një zgjidhje ndërkombëtarët, ne me Ramën nuk flasim më

Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, kërkon angazhim më serioz të Partisë Demokratike, për ti bindur qytetarët për gjendjen e vështirë, që sipas tij po kalon vendi. Në një intervistë për ”Ora News”, Mediu thotë se Rama është kundër qytetarëve, dhe ndaj rruga për largimin e tij nuk ka kthim pas.

Pas më shumë se 1 muaj e gjysmë nga djegia e mandateve dhe përqëndrimit të opozitës në protesta, aleati i Partisë Demokratike kërkon një angazhim më serioz në komunikim me ndërkombëtarët.

”Mendoj se duhet një punë më e organizuar e opozitës në këtë drejtim. Ne nuk mund të rrimë të presim se do ta kuptojnë ose jo ndërkombëtarët dhe duke pasur në konsideratë faktin se ka probleme të jashtëzakonshme sot dhe përtej Atlantikut, por edhe në Europë, sidomos para zgjedhjeve parlamentare europiane, ne duhet të jemi shumë më këmbëngulës për të negociuar dhe diskutuar jo vetëm thjesht problemin që ka Shqipëria, por edhe alternativën e zgjidhjes që duhet të ofrojmë si opozitë.

Kjo është imediate dhe duhet të lëvizim sa më shpejt”, thotë Mediu.

Nga ana tjetër, ndryshe nga PD-ja, ai thotë se ndërkombëtarët kanë një rol të rëndësishëm në politikën shqiptare:

“Po ju marr një raport analog të vitit 2001. Kishim bindje të komunitetit ndërkombëtar në atë kohë se zgjedhjet në Shqipëri ishin zgjedhje të zhvilluara brenda kushteve normale.

Me fakte ne arritëm të bindnim se zgjedhjet ishin të manipuluara në 5 raunde në mënyrën më skandaloze të mundshme deri në vendime absurde të Gjykatës Kushtetuese”.

Ai komentoi deklaratat e kryeministrit se pranon zgjedhje të parakohshme nëqoftëse opozita merr një bashki me shumë se PS:

”Ku e gjen këtë besim? Është pikërisht kjo strukturë kriminale si në vendet e Amerikës Latine, të cilat në mënyrë të padiskutueshme nuk e kishin te forca e qeverisjes logjike kushtetuese, por te forca e krimit dhe parasë së krimit dhe korrupsionit që garantonte fitoren dhe blerjen e votave të qytetarëve në interes të një grupi të caktuar njerëzish”.

Qeveria, thotë Mediu, është kundër shqiptarëve, ndaj zgjidhja shprehet ai është vetë largimi i Ramës me çdo mjet të nevojshëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne