Fatmir Xhafaj kërkoi në Gjermani kampe refugjatësh për Shqipërinë

Gjatë një interviste të publikuar në Deutsche Welle mes gazetares Adelheid Feiclke dhe deputetit të CDU në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul, dy bashkëbiseduesit zbulojnë se propozimi për kampe refugjatësh në Shqipëri, nuk erdhi nga kancelari austriak apo zyrtarë të BE-së. Jo, propozimi erdhi nga vetë qeveria shqiptare, që është vetëofruar për ngritjen e kampeve të refugjatëve në territorin e Shqipërisë. Më konkretisht, ka qenë Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj që ka marrë përsipër të artikulojë propozimin, duke habitur edhe vetë gjermanët me idenë e shkarkimit të emigrantëve në vendin e tij.

Lexoni më poshtë, pyetjen e gazetares të DW, që thotë se ishte Xhafaj që e bëri propozimin gjermanëve dhe përgjigjen e deputetit të CDU, që e konfirmon këtë fakt.

Deutsche Welle: Ka për momentin diskutime, dhe këtu është kërkuar nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, se Shqipëria mund të angazhohej duke ngritur qendra pranimi refugjatësh për azilkërkuesit e refuzuar apo si stacion i ndërmjetëm për refugjatët në kontekstin e Frontex-it. Si e shikoni rrugën që po ndiqet?

Johann Wadephul: Unë e shoh si një propozim interesant që më ka habitur, por mendoj se është një propozim i mirë, që duhet parë, kjo është një ofertë që mundësisht duhet edhe të realizohet. Ne e dimë se Shqipëria është treguar mjaft mikpritëse edhe në krizën e atëhershme në Kosovë, atëherë ishte një situatë tjetër, se bëhej fjalë për vëllezër e motra nga Kosova që flasin të njëjtën gjuhë e kanë të njëjtën kulturë. Në këtë rast do të ishte ndryshe, por si e thashë ky është një sinjal i mirë që duhet ndjekur.

Konfirmi se propozimi erdhi nga Fatmir Xhafaj bëhet edhe më i fortë në përgjigjen e radhës të deputetit gjerman, kur sqarohet se oferta e qeverisë shqiptare ishte serioze dhe se Komisioni Europian do të japë mbështetje financiare dhe logjistike për ngritjen e kampeve.

Deutsche Welle: Ky është edhe një propozim nga Austria, edhe nga presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk që Shqipëria të përfshihej më shumë e të mbështetej, e që do të ishte një zgjidhje jashtë BE-së, por brenda Europës. Janë më shumë teza se sa gjëra konkrete, çfarë do të bënit ju si CDU apo Gjermania për ta mbështetur këtë?

Johann Wadephul: Ka dy gjëra, njëherë mendoj se qeveria shqiptare ofertën e ka serioze, dhe se verifikon kushtet juridike dhe teknike në vend për zbatimin, por nga ana tjetër edhe Komisioni Europian duhet ta mbështesë këtë masivisht, edhe financiarisht por edhe nga ana logjistike. Të dyja palët ndeshen me një detyrë jo edhe aq të lehtë, por ndoshta do të bëhet një detyrë e përbashkët. Ne jemi të hapur, mund ta përfytyrojmë këtë, e shohim një ofertë pozitive dhe Komisioni Evropian duhet të zhvillojë bisedime me Shqipërinë.

Intervista në DW zbardh arsyet e vizitës disa ditore të Fatmir Xhafajt në Gjermani. Ai ka pasur takime me Ministrin e Brendshëm, Seehorst, njëkohësisht kryetar i CSU-së dhe aleat e Merkel, që vuri në dyshim koalicionin qeverisës në Gjermani, pikërisht për shkak të çështjes së emigrantëve.

Por në asnjë prej njoftimeve të Ministrisë së Brendshme nuk është përmendur oferta e qeverisë shqiptare për të hapur kampe refugjatësh në Shqipëri. Ky fakt është mbajtur i fshehtë edhe nga qeveria shqiptare. Kryeministri Rama e ka mohuar publikisht në një postim në Facebook, pavarësisht se zyrtarë të lartë të kancelarive europiane po e pohojnë gjithnjë e më shpesh në mediat më serioze ndërkombëtare. Shikoni më poshtë si e mohoi Rama projektin e strehimit të emigrantëve në Shqipëri, një nismë që sipas deputetit gjerman, ai e ka kërkuar vetë nëpërmjet Fatmir Xhafajt.

 

Madje këtë të shtunë, Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Federale, Dieter Romann, takim në të cilin duket se janë konkretizuar kërkesat për të pritur refugjatë në Shqipëri. Pavarësisht se zyrtarisht, qeveria shqiptare i mohon negociatat për ngritjen e kampeve të refugjatëve, Xhafaj dhe Veliu kanë kërkuar ndihmë financiare dhe logjistike për pritjen e flukseve të emigrantëve drejt Shqipërisë.

Siç e pranon Ministria e Brendshme, dy drejtorët e policisë flasin për “flukse emigrantësh” dhe “situata të tillë”, të cilat janë inekzistente për momentin, por nëse arrihet një marrëveshje për ngritjen e kampeve të refugjatëve, atëherë do të jenë realitet në territorin shqiptar.

“Në vijim, ata u ndalën tek situata aktuale lidhur me migracionin e paligjshëm dhe problemet me të cilat po përballet Policia e Shtetit në menaxhimin e kësaj situate. 

Për këtë çështje, shtoi ministri Xhafaj, kam diskutuar edhe me Komisionerin e BE-së, z.Avramopoulos dhe kam kërkuar mbështetje financiare dhe logjistike nga Brukseli.  Duke marrë në konsideratë origjinën e flukseve migratore dhe rrugën që ndiqet për të depërtuar në vendet e BE-së, palët ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor në menaxhimin e këtyre flukseve. Për Gjermaninë, u shpreh z.Romann, përballimi i situatës që lidhet me migracionin është detyrë parësore e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë Federale, kjo edhe e lidhur me mungesën e informacionit nga vendet e origjinës, vështirësisë në identifikimin e individëve, apo problematika të sigurisë që shoqërojnë këtë fenomen. 

Lidhur me këtë çështje Drejtori Ardi Veliu u ndal tek masat që ka ndërmarrë Policia e Shtetit, veçanërisht ajo kufitare për një menaxhim sa më të mirë të regjimit të kufirit. Ai u ndal po ashtu, edhe në mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të nevojshme për përballimin e situatave të tilla. Z.Veliu falënderoi Policinë Federale për ndihmën që i ka ofruar Policisë së Shtetit” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne