Feja dhe ndërrimi i fesë

Indrit Vokshi

 

(leksion për budallhanet e Kosovës).

Katolicizmi në Amerikën Latine është “fe e pushtuesit”. Pushtuesi spanjoll vrau e masakroi qindra e mijëra njerëz dhe e imponoi fenë katolike ndër breza me fuqinë e shpatës, pushkës dhe shtetit kolonial.

Sot popujt amerikano-latinë janë katolikë dhe ndihen shumë krenarë që janë katolikë. Janë katolikë me vullnet të plotë e të lirë dhe katolicizmi i pushtuesit spanjoll ua ka formësuar atyre popujve identitetin kombëtar. Feja katolike konsiderohet pjesë natyrore e jetës dhe e identitetit edhe pse u përhap në Amerikën Latine përmes dhunës më të pashembullt.

Katolicizmi i ka kulturuar shpirtërisht në masë të lartë ata popuj sepse nëse lexon kronikat e Las Casasit dhe priftëve të tjerë, ata ishin popuj të cilët flijonim njerëz. Ndërsa në kuptimin e qytetërimit material, Cortezi me të tjerë zbuluan aty qytete si Tenochtitlan dhe Cusco, qytete të cilat kishin rrugë, infrastrukturë, tregje të mëdha dhe popullsi me mbi 200 mijë banorë. Ato qytete u krahasuan me qytetet e mëdha europiane të kohës dhe në disa aspekte u konsideruan më të pastërta e më të rregullta.

E pavarësisht kësaj, pavarësisht se mbretëritë katolike europiane iu shkatërruan sistemin ekzistues të asaj kohe dhe identitetin përkatës duke i konvertuar në katolikë, popujt indo-latinë sot e kësaj dite e ruajnë krejt krenari përkatësinë katolike dhe e kanë themel të identitetit kombëtar. Fenë e pushtuesit.

Vendet amerikano-latine janë vende të dhunshme e të varfëra, vende të prapambetura dhe pa sistem shtetëror; kjo e vërtetë iu thyen hundët atyre që na thonë se fajin për zhvillimin ekonomik dhe sistemin shtetëror ndër shqiptarë e ka feja, sepse nëse ne do të kishim jetuar nën perandori të krishterë e jo në perandorinë muslimane osmane, ne pa dyshim do të kishim qenë shumë të zhvilluar. Ja ku janë popujt e Amerikës Latine, ata jetuan 500 vjet nën pushtues spanjoll, portugez, francez dhe britanik, u konvertuan edhe në fenë e tyre por nuk janë aspak të zhvilluar.

Në vitin 782 në Verden të Gjermanisë, Karli i Madh masakroi 4500 saksonë paganë të cilët nuk pranonin të konvertoheshin në krishtërim. U miratua një ligj i quajtur “Capitulatio de partibus Saxionae” i cili synonte përhapjen e krishtërimit duke dënuar me vdekje ata që ndiqnin fe tjetër. U ndërtua një terrorizëm sistematik shtetëror. Dhuna ishte e gjate dhe e vazhdueshme me qëllim konvertimin e saksonëve gjermanë në krishtërim. Prej atëherë Saksonia është e krishterë dhe krishtërimi ka formësuar identitetin kombëtar të ish paganëve saksonë-gjermanikë. Ata janë krenarë gjithashtu për përkatësinë e tyre të krishterë dhe e konsiderojnë themel të identitetit kombëtar edhe pse krishtërimi ndër ta u përhap përmes terrorit shtetëror të Karlit të Madh.

Edhe këta gjermanikë edhe amerikano-latinët kanë të njejtën fe; mirëpo indo-latinët janë të pazhvilluar, ndërsa gjermanikët janë më të zhvilluar. Përse përkatësia në të njejtën fe nuk i zhvilloi të dyja palët? Sepse zhvillimi të cilin këta e lidhin me fenë në fakt ka komponentë krejt të tjerë. Nuk ka fe që pengon zhvillimin. Në vitin 1500 ekonominë më të madhe sipas studiuesit Agnus Maddison e kishte Kina e dinastisë Ming, mandej vinin India, Franca, Perandoria Osmane. Dhe shkaku kryesor i ekonomive të mëdha ishte popullsia e madhe dhe jo feja. Qytete si Bursa dhe Edreneja ishin më të rëndësishme sesa shumë qytete në Britani e Gjermani. Me ekspansionin detar kolonial, siç shkruan Churchill në librin “Britania në kohët e reja”, vendet europiane njohën rritje të madhe jo për shkak të fesë por prej aksesit në lëndët e para nëpër koloni. Para ekspansionit i shkollonin fëmijët në kalifatet muslimane të Spanjës e Marokut.

Vende si Ukraina dhe Rumania janë më pak të zhvilluara se Turqia dhe Emiratet. Irani është më i zhvilluar se Venezuela apo Kolumbia. Izraeli është më i zhvilluar se Armenia. E këto nuk kanë lidhje me fenë. Kanë lidhje përgjithësisht me fuqinë dhe talentin për plaçkitje ose integrim në sisteme plackitëse. Holandezët psh u bashkuan me anglezët në East India Company për t’i marrë pasurinë gjithë botës së njohur. E të tjerë shembuj.

Feja muslimane në Ballkan u shpërnda prej pushtimit dhe ekspansionit të Perandorisë Osmane. Kjo perandori ishte e dhunshme por shumë larg dhunës së spanjollëve sepse deri në vitin 1878, vetë perandoria në Ballkan ose Rumeli siç e quanin ata, mbeti me shumicë të krishterë.

Edhe sot Ballkani i gjithi ka shumicë të krishterë; grekët, bullgarët e rumunët, malazezët, maqedonasit, madje edhe hungarezët ku sulltani sundoi 150 vjet, mbetën të krishterë. Si ka mundësi që një perandori muslimane të sundojë 450 vjet dhe pas 450 vjetëve rajoni të mbetet me popullsi të krishterë? Ishte natyra e perandorisë multietnike.

Deri në vitet 1600 shqiptarët ose arbërit nuk janë masivisht muslimanë. Shqiptarët u kthyen muslimanë prej sunduesve vendorë të cilët mbajtën krahun e perandorisë. Qysh në vitet 1400, Mhill Badera prej Martaneshi u emërua Sanxhakbej i Ohërit, i njohur si Ballaban pasha. Sanxhakbeu ishte mëkëmbës ushtarak personal i sulltanit. Jakub bej Muzaka, djali i Teodor Muzakajt u konvertua dhe u emërua sanxhakbej i Sanxhakut të Arbërisë. Edhe Zaganos pasha thuhej se ishte djali i Vrana Kontit. Edhe Iljaz beu Mirahor ishte djali i një prifti ortodoks prej fshatrave të Korçës i cili hipi në muret e Kostandinopojës dhe mandej si shpërblim themeloi Korçën e sotme. Ishte një elitë e arbërve të viteve 1400 të cilët mbajtën krahun e sulltanit dhe me vete kishin edhe ushtarë vendas nga krahinat e tyre. Më pas nipi i Lek Dukagjinit, Ahmet pashë Dukagjini u bë kryeministër i sulltanit.

Më pas, pasi fillimisht u konvertuan sundues si disa Muzakaj, disa Dukagjinë, përfshi Zaganos pashët, Mirahorët dhe Mhill Baderan dhe dhjetra si këta, shpërthen epoka e sunduesve shqiptarë në Ballkan. Dalin Asllanapashalinjt e Janinës, Vlorajt e Kaninës, Begollët e Pejës e dhjetra oxhaqe sunduesish shqiptarë në Ballkan. Deri te Bushatllinjt dhe Ali pasha i Tepelenës. Këta sunduan dhe e konvertuan në muslimanizëm masivisht popullsinë sepse popullsia iu shkoi pas.

Njejtë ka ndodhur me frankët të cilët u konvertuan pasi u konvertua mbreti Klovis. Me rusët pasi u konvertua Vladimiri i Madh. E kur në Britani u konvertun Ethelberti i Kentit dhe Osvaldi dhe Edvini i Northumbrias, britanikët i ndoqën pas dhe u bënë të krishterë.

Në vitin 1400 arbërit llogariteshin të ishin pak mbi 600 mijë njerëz. Ndërsa në vitin 1912 shqiptarët ishim pak mbi 2 milion. Popullsia është rritur me 3 herë me ritëm normal njëlloj si anglezët, francezët dhe gjermanët; sepse edhe ata me 2 deri 3 herë janë rritur.

Pra ne kemi zhvilluar një identitet normal por me fe tjetër njëlloj siç zhvilluan të gjithë popujt nga Brazili e Meksika deri në Britani e Rusi, popuj të cilët nën një perandori të re, adoptuan fe të re dhe vazhduan jetën.

Viti 1912 është moment kyç sepse është viti i konsensusit. Rilindasit kombëtarë projektuan komb me 4 fe të barabarta.

Po na dalin budalliqet kriminale me fe të huaja, fe të importuara, duke i quajtur të huaj miliona shqiptarë, ndërkohë që të gjitha fetë që ne kemi janë të huaja e të importuara, asnjëra nuk është “native”, e ska aspak rëndësi si u importuan; a u përhapën me dhunën shtetërore të Theodhosit I i cili në vitin 400 nxorri edikte për të shkatërruar paganizmin i cili deri atë shekull kishte mbetur masiv ndër ne dhe u desht fuqia e shtetit perandorak për ta zhdukur; a janë përhapur me fuqinë, dhunën dhe privilegjin e sulltanëve apo kanë ardhur së fundmi me misionet amerikane e britanike, kjo ska shumë rëndësi.

Kombi shqiptar është ndërtuar mbi ketë konsensus, ku gjithkush quhet shqiptar pavarësisht fesë dhe gjithkush është i barabartë pavarësisht fesë. Kushdo i cili në emër të xhamisë, kishës apo teqes, synon ta shkatërrojë ketë konsensus, ai pozicionohet si armik sepse po cënon shtyllën kryesore të konsensusit për komb të bazuar mbi gjuhën dhe mbi etninë shqiptare.

Kështu fraksionet e budallenjve destruktivë nuk duhet t’i kalojnë kufinjt sepse ndër shqiptarë është më e fortë një palë tjetër: Pala kombëtariste! 🇦🇱

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne