Feja nuk është dhunë, dhuna nuk sjellë paqe!

İkbale Berisha Huduti

“Kush mbytë një njeri pa të drejtë është njëjtë sikur do të kishte mbytë tërë njerëzimin. Dhe, kush shpëton një jetë do të ishte sikur të kishte shpëtuar gjithë njerëzimin.” Maide 32

Kosova ime është në një kaos politik, Maqedonia gjithashtu, Shqipëria ashtu-kështu, duke u munduar të lundrojmë si një anije e lodhur në oqeanin europian.

Bota po bënë luftëra, gjenocid, gjakderdhje karshi njerëzve të pafajshëm, sulme të cilat çdo ditë e më shumë po ashpërsohen, po bëhen vdekjeprurëse, po marrin jetë të pafajshme, por këto, askush nuk i shikon e as nuk bën zë, bota hesht, dhe si pasojë çdo ditë vriten në mënyrë mizore shumë viktima. Sa i përket vrasjeve pa asnjë faj, Kur’ani i shenjtë na jep këtë mësim: “Kush e vret një njeri pa të drejtë është njësoj sikur të ketë vrarë tërë njerëzimin. Dhe, kush shpëton një jetë është njësoj sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin”.

Kur ndodhën aktet terroriste në Francë, dhe të gjithë sytë e botës ishin kthyer drejt Francës, mua më dhimbseshin shumë ato viktima të pafajshme. E gjithë bota u revoltua, investoi, harxhuan para e kohë duke u solidarizuar me aktivitete, gjeste e forma të ndryshme. Mediat shprehnin keqardhje në mënyra e forma të ndryshme.

Ndërkaq, në vendet ku jetojnë muslimanët, si në Palestinë, Ukrainë, Burma, Libi, Irak, Jemen, Siri, së fundmi edhe në Turqi, ku vazhdimisht ushtrohet dhunë, gjenocid dhe çdo ditë nëpër këto vende rrjedhin lumenj gjaku, për këto vende shumë pak bëhet gjë, dhe askush nga perëndimorët nuk e ngre zërin, ngase muslimanët ndoshta nuk janë si ata, as në fe as në traditë, as në kulturë as në politikë, pra askush nuk e çan kokën, nuk duan të shohin, dhe kjo jo që janë të verbër por i pengon drita e së vërtetës së hidhur që vetë ata e kanë krijuar, dhe asnjëri nuk ndjen dhimbje sepse ato vende nuk janë Franca e Europës.

Siç po shihet, luftërat që po bëhen në Lindje, nuk po ndodhin për të luftuar terrorizimin, por për të marrë pronësinë e naftës në zonat strategjike. Luftërat po bëhen për pushtet duke përdorur mashën sektare fetare të pavetëdijshme, e cila po e zvarrit zjarrin nga njëri shtet musliman në tjetrin. Siç duket në këto vende ka vdekur politika, ngase feja pa politikë është si trupi pa kokë. Fenë të cilën tani për tani në këto vende të turbullta muslimane, mendojnë se e mbajnë në duar radikalët dhe diktatorët, mos të mendojnë se kjo mund të quhet fe. Kjo nuk është fe, sepse në fe nuk ka diktaturë, në fe radikalizmi është i mirë vetëm deri në atë masë kur mbahemi në rrënjët e çiltra të Kur’anit e jo në hadithet e thëniet e fetarëve të padenjë.

Bota në përgjithësi, e bota muslimane në veçanti po rrezikohet nga konfliktet e brendshme fetare të cilat po udhëhiqen nga grupe radikale, të cilat haptas po predikojnë një Islam ndryshe, karshi atij Islamit burimor nga Shtëpia e Shpalljes, që kanë predikuar gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë të brezit të Profetit Muhammed -paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij. Tashmë te këta fetarë radikalë feja u bë përshesh, u bë e gërditshme, e frikshme për ata që nuk kanë pasur mundësi të njihen me fenë e vërtetë islame. Tashmë te këto grupe radikale dhe te liderët diktatorë edhe ritualet e tyre janë më ndryshe, ku kurrë nëpër xhamitë tona nuk është është dëgjuar me brohori shprehja “Amin” e sures El-Fatiha si “Amen” i kishave të krishtera, ndërsa toleranca fetare po bëhet e padurueshme.

Tashmë kjo “fe radikale e diktatoriale” nuk po jep fruta të ëmbla, por ajo po shkatërron kulmin e çdo familje të pavetëdijshme e me statut të ulët social. Tani diktatorët dhe radikalët kanë harruar se çfarë është kompromisi, bashkëbisedimet dhe marrëveshjet në emër të Zotit, ngase i ka zaptuar ndjenja e pushtetit të dreqosur.

Neve që po shohim atë çfarë ju po bëni, po na dhemb më shumë, ngase jemi ngujuar në vendet tona europiane, dhe neve që kemi ndjenja humane po na bllokohet fryma nga shikimet që po vërejmë në rrjetet sociale. Neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm që të besojmë në atë që Zoti na ka premtuar, e Allahu na ka thënë se “Ai (Allahu) nuk e shkel premtimin e Vet” (Ez-Zumer 20), dhe se “Premtimi i Allahut është i vërtetë; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Lukman, 31: 9) Prandaj, këto premtime më japin fuqi dhe guxim, se ju që i kurdisni këto kurthe, gjakderdhje të pafajshme, mizori, krime e trishtime, nuk jeni forcë, sepse Zoti ka thënë se forcat e kriminelëve, njerëzve të lig – “nuk do t’ju bëjnë asnjë dobi, sado të jenë të shumta në numër, sepse Allahu është me besimtarët.” (El-Enfal, 19)

Për hir të gjakderdhjeve të pafajshme, duhet të ngrihemi të gjithë kundër terrorizmit, me një postim, një fjalë, një dhimbje, një pikë loti, dhe ky të jetë ushqimi i ditës për ty. Nëse je kundër të keqes, ti je mik me të mirën, por nëse nuk ke guxim që të ngresh zërin tënd kundër së keqes, të jesh i sigurt se ti po ndihmon të keqin, të ligun dhe të jesh i sigurt që edhe ti je pjesë e asaj gjakderdhje të pafajshme.

Një fjalë e jotja në rrjetet sociale mund të shpëtojë një gjakderdhje fëmije. Një diskutimi yt në opinion, në konferenca, seminare e tubime të vogla apo të mëdha, do të shpëtojë me qindra gjakderdhje të pafajshme. Një pikë loti në shpirt do t’i japë jetë miliona shpirtrave që kanë nevojë për gjak.

Prandaj ngrihu, mos u frikëso nga e vërteta, zgjatja dorën të shtypurit. Ejani të bëhemi të gjithë kundër terrorit dhe dhunës që janë pjellë e shpirtrave të zinj, e mendjeve të kufizuara në besim të gabuar.

Mos iu frikëso pozitës, emrit, e famës tënde se pozita që ta jep Zoti është më e lavdishme se ajo që ke. Është e vërtetë që po fole për dhunën që iu bëhet njerëzve të dobët, po fole për të vërtetën që e kanë të “fortët” në pushtet, ti do të jesh i anashkaluar, i përfolur, i sulmuar, i përbuzur, i shpifur, i neglizhuar nga të tjerët por një gjë duhet ta dini se Zoti ka premtuar: “Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë.” (Junus, 10: 9)

Prandaj mos hezitoni, mos u molepsni nga padrejtësitë, mos nguroni dhe mos u frikësoni nga thënia e së vërtetës kundër dhunës ndaj të dobëtit, sepse Zoti ka premtuar: “Se për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi, pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (El-En’am, 6: 82)

Mos u frikëso kur të thuash të drejtën, por beso në atë që të ka premtuar Zoti e ajo është: “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët. Ai nuk i do tradhtarët mohues.” (El-Haxh, 22:38)

Prandaj, beso fuqishëm në premtimin dhe këshillën e Allahut, sepse Ai është i Plotfuqishëm, ai nuk ka rival, dhe premtimin e Tij patjetër që e ka zbatuar deri sot dhe do ta zbatojë deri në Ditën e Kiametit, prandaj mbaje në mend këtë këshillë nga Ai dhe mos u bëj nga ata për të cilët Allahu thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë një jetë të mjeruar…” (Ta-Ha, 20:124)

Ndërsa për ty që i beson të mirës, të vërtetës dhe të drejtës, Zoti të ka dhënë sihariq, prandaj duhet të gëzohesh kur Ai thotë: “Për sa u përket atyre që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, ata Zoti i tyre do t’i pranojë në mëshirën e Vet. Kjo është fitorja e lavdishme!” (El-Xhathije, 45:30)

“Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve.” (El-Kehf, 18:30)

Prandaj, mos t’ju mashtrojë pozita, lakmia, pasuria, luksi, nderi i rrejshëm, fisnikëria e paqenë por e etiketuar, por mbështetu tek Zoti i Vërtetë, tek drejtësia e Tij dhe askush nuk do të ketë pushtet ndaj teje dhe ti do të jesh nga fisnikët, të drejtët dhe udhëheqësit e vërtetë, sepse: “Në të vërtetë, nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre.” (En-Nahl, 16:99)

O njeri i së drejtës, o njeri i heshtur e naiv, jo që nuk kupton por mediat aq shumë të kanë mbuluar me fjalë të kota sa që tani më nuk je në gjendje të kuptosh edhe gjuhën tënde shqipe. Shqipja e nënës është përzier me fjalë të gënjeshtra dhe humbi esencën e fjalës së qëndrueshme. Të këshilloj që mos ta humbësh shpresën, por kërko nga i madhi Zot të jesh më vigjilent e të mos jesh i heshtur e naiv, por të flasësh fjalë të qëndrueshme për veten, familjen dhe shoqërinë, sepse: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i çon në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” (Ibrahim, 14:27)

Ndjej dhimbje për të gjitha këto trazira dhe gjakderdhje të pafajshme, gjithashtu ndjej dhimbje edhe për vendin tim, ku ka kaos të madh politik, ku papunësia ka shkuar deri në qiell, ku po ndodh një emigrim i pakufishëm i të rinjve, ku ka korrupsion, pabarazi, hipokrizi, sjellje amorale në krah të modernizmit.

Po jetojmë në një botë të verbër, ku qorri është mbret. Zoti i bekoftë të gjitha vendet e prekura nga aq shumë luftëra të pakuptimta dhe plot me kaos. Zoti pastë mëshirë për ne popullin shqiptar që po jetojmë si një anije e vogël në oqeanin e madh të Europës. Prandaj, këshilla ime për të gjithë është;

“Vërtet që jemi një anije e cila nuk mund të jetojë pa detin e bujshëm e të madh. Jemi një anije që herë përballemi me valë të mëdha e herë lundrojmë të qetë në oqeanin europian, herë na kaplojnë baticat e herë zbaticat, por duhet të kemi kujdes e të mos e dashurojmë shumë oqeanin, sepse anija pa oqean nuk ka jetë, por nëse e dashurojmë shumë ajo do të fundoset në fund të saj.”

Dhuna nuk sjell paqe! Mjaftë me dhunë!/ ml

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne