Fëmijët e Pakistanit protestojnë në solidarizim me Kashmirin

Qindra fëmijë në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, sot mbajtën një protestë duke qëndruar ulur përpara parlamentit për të treguar solidaritet me fëmijët e Kashmirit, raporton Anadolu Agency (AA).

Tubimi filloi nga Pakistan Sweet Homes, një qendër e fëmijëve jetimë në Islamabad, ndërsa vazhdoi me marshim deri te ndërtesa e parlamentit, ku fëmijët organizuan protestën dhe brohoritën parulla për të hequr kufizimet në Xhammu Kashmir, rajonin e kontestuar të administruar nga India.

Ata bartnin pankarta me parulla si “Qëndrojmë të bashkuar me ta, fëmijët e Kashmirit të privuar nga arsimi dhe shëndeti” dhe “Kashmiri po derdh gjak”.

Disa fëmijë mbanin pllakat me fotografinë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, me mbishkrimin “Xhaxha! Ju lutemi shpëtojini fëmijët e Kashmirit”.

“Ne jemi këtu për të treguar solidaritet me fëmijët e Kashmirit që janë të burgosur për 51 ditët e fundit”, tha për AA Salman Rafique, një djalosh nga Pakistan Sweet Home.

Bota duhet të shpëtojë fëmijët në Xhammu Kashmir, shtoi ai.

Në një shfaqje unike të solidaritetit me fëmijët e Kashmirit të administruar nga India, fëmijët pakistanezë kërkuan të hiqet shtetrrethimi i policisë dhe të hapen shkollat e tyre.

“Për 51 ditët e fundit, shkollat janë mbyllur, fëmijët janë në një burg të hapur me prindërit e tyre dhe të gjitha të drejtat e fëmijëve janë marrë nga qeveria indiane”, u tha gazetarëve Zammurrad Khan, drejtori i Pakistan Sweet Home.

Fëmijët e Kashmirit po përballen me situatën më të rëndë dhe fëmijët pakistanezë qëndrojnë pas tyre, shtoi ai.

Pakistan Sweet Homes është një organizatë mirëqenieje, që mbështet fëmijët që kanë humbur prindërit e tyre veçanërisht pas akteve të terrorizmit, për shkak të përmbytjeve dhe shkaqeve të tjera natyrore.

Fëmijët u kërkuan organizatave botërore për të drejtat e fëmijëve që të ngrenë zërin për fëmijët në Xhammu Kashmir dhe të rivendosin të drejtat e tyre.

Rajoni i administruar nga India është përballur me një ngërç që prej 5 gushtit, kur qeveria indiane revokoi nenin 370 të kushtetutës indiane, e cila i jepte një status të veçantë.

Sipas disa grupeve për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch, qindra njerëz, kryesisht udhëheqës politikë, janë ndaluar ose arrestuar nga autoritetet që kur qeveria indiane ndërmori masën.

Megjithatë, autoritetet indiane pretendojnë se kufizimet janë hequr në 90 për qind të rajonit.

India dhe Pakistani kontrollojnë pjesë të Kashmirit dhe e pretendojnë atë në tërësi. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por janë India dhe Pakistani ato që kanë zhvilluar dy luftëra mbi Kashmirin./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne