Bota

Fëmijët jemenas protestojnë kundër Saudisë në Ditën Botërore të fëmijëve

Fëmijët jemenas duke marrë pjesë në një miting proteste në kryeqytetin Sana’a, dënuan masakrimin e civilëve jemenas, veçanërisht të fëmijëve, nga koalicioni agresor saudit.

Siç raporton kanali televiziv i Jemenit Al-Masira,  protesta u mbajt nga fëmijët që jetojnë në Sana’a, kryeqyteti i Jemenit dhe në zonat rreth tij, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve dhe për dënimin e krimeve të kryera nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite kundër fëmijëve të Jemenit. OKB e shpalli 20 nëntorin Ditën Botërore të Fëmijëve. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në të njëjtën ditë në vitin 1959, miratoi Deklaratën për të Drejtat e Fëmijëve dhe në vitin 1989, ratifikoi Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve. Kohët e fundit, Meritxell Relaño, i dërguari i Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF) në Jemen, deklaroi se që nga fillimi i sulmit ushtarak saudit në vend, më shumë se 1,700 fëmijë kanë vdekur në Jemen dhe miliona të tjerë rrezikohen të vdesin nga uria dhe sëmundjet. Javën e kaluar, grupi i shquar ndërkombëtar i bamirësisë Save the Children  raportoi se rreth 130 fëmijë ose më shumë po humbasin jetën çdo ditë në Jemen për shkak të “urisë dhe sëmundjeve ekstreme”. “Vendimi saudit për të bllokuar qasjen tërësisht në pikat kyçe hyrëse të aeroportit të Sanas dhe në portet e Hudaidah dhe Salifit i vë në rrezik qindra mijëra fëmijë jemenas”, shtoi agjencia bamirëse, duke parashikuar se secila nga provincat Hudaidah dhe Taiz, rajonet më të prekura nga “kriza e urisë akute”, do të humbnin nga 10.000 fëmijë deri në fund të këtij viti. “Këto vdekje janë aq të pakuptimta, sa janë të parandalueshme. Ato nënkuptojnë dhjetëra mijëra nëna që vuajnë për vdekjen e një fëmije, ditë pas dite “, tha Tamer Kirolos, drejtor i Save the Children’ në Jemen.

OPINIONE