Fier: Gjanica, nje aks transformues i hapësirës urbane

Edhe për më skeptikët nuk ka më vend për dyshime … Gjanica po kthehet në identitet.

Ndërtesat përgjatë skarpateve të lumit, në aksin qendror të qytetit, tashmë po shemben duke i hapur rrugën zbatimit të projektit, ndoshta më ambiciozit, me të cilin pushteti vendor në Fier përballej mandat pas mandati, pa mundur t’i jepte zgjidhje.

Nëse heqim një paralele, ajo që po ndodh sot në Fier, është një proces i krahasueshëm me shembjen e godinave përgjatë Lanës në kryeqytet.

Dhe nuk bëhet fjalë për kioska apo ndërtesa të vogla, por për rreth 40 objekte, disa prej të cilave godina shumëkatëshe që pas viteve ’90 veshën skarpatet e lumit duke deformuar jo vetëm vetë Gjanicën, por edhe urbanistikën e qytetit. Pronarët e tyre tashmë janë shpronësuar nga qeveria dhe procesi po ecën pa kontestime për t’ i dhënë Fierit lumin që meriton.

Rehabilitimi i shtratit të lumit Gjanica ka qenë sfida më e madhe me të cilën përballej Bashkia Fier gjithë këto vite, shprehet në një intervistë për ATSH-në Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Tashmë projekti që po zbatohet parashikon një zgjidhje tërësore, jo vetëm me sistemimin e shpateve të lumit, por edhe me rivitalizimin e hapësirave përreth tij në kuadrin e rikonceptimit të qendrës së Fierit dhe ç’është më kryesorja, pastrimin e ujërave të lumit.

Re-Gjanica, projekti që transformon Fierin

Në një intervistë për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi shprehet se “ky projekt është quajtur Re-Gjanica, pasi vendos pikërisht në fokus rivitalizimin e shtratit të lumit Gjanica, si një aks transformues i gjithë hapësirës urbane të qytetit”.

Aktualisht Bashkia është duke punuar për një segment me gjatësi 1 km në qendër të qytetit (nga ura me shkallë në veri dhe deri pas ish-shtëpisë së oficerave në jug). Deri në fund të muajit mars, ky projekt do të përfundojë dhe pritet financimi i tij nga qeveria shqiptare.

Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synon valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit dhe ndërtimit të ndërtesave publike për qëllime sportive-kulturore e të shërbimit dhe rehabilitimin selektiv sipas nevojave, të rrjetit infrastrukturor.

Sipas Subashit, “projekti do të shtoj vlerat natyrore të lumit Gjanica që shkon përmes qytetit të Fierit, do të shmangë ndotjen e mjedisit dhe do të rigjenerojë shtratin e lumit në këtë segment”.

“Projekti parashikon sistemimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimin mjedisor të lumit dhe krijimin e një peisazhi rekreativ për shtratin e lumit. Po ashtu, sigurohen rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastukturor”, tha Subashi.

Projekti parashikon gjithashtu rinovimin e fasadave dhe restaurimin e ndërtesave të përfshira në asamblin e qendrës së qytetit, ndërtimin e rrugëve për këmbësorët, krijimin e rrugëve të shkurtra të ecjeve në natyrë dhe fasilitete të tjera për këmbësorët.

Zbatimi i këtij projekti do të rrisë cilësinë e jetesës së qytetarëve, do të ulë nivelin e ndotjes si dhe do të krijojë mundësi për përdorimin e ujit të lumit për ujitje.

Po ashtu, rritet vlera e tokave pas investimit në brigjet lumore.

Impiant për riciklimin e ujërave të Gjanicës

Subashi u ndal edhe te projekti për trajtimin e ujërave të lumit Gjanica, për të cilin parashikohet ndërtimi i një impianti riciklimi.

Në zonën e ish-azotikut, sipas Subashit, është vendosur tashmë impianti i pastrimit të ujit të ndotur të lumit Gjanicës, që kompania amerikane “Recovered Earth”, i ka dhuruar Bashkisë.

“Kjo pajisje kthen ujin e ndotur të lumit nëpërmjet përmirësimit të parametrave fiziko-kimikë, gati në parametrat e ujin të pijshëm. Nga ana e specialistëve janë identifikuar 21 pika ndotje të lumit Gjanica. Vendosja e impianteve të tillë, si dhe koordinimi i masave parandaluese, që do të ndërmerren në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera vendore do të sjellin minimizimin e ndotjes së lumit nga mbetjet hidrokarbure, apo ato industriale, duke vënë në zbatim projektin e rehabilitimit të këtij lumi dhe kthimin e tij në një zonë atraktive për qytetin”, tha Subashi.

Baza ligjore për rehabilitimin e Gjanicës

Përpjekjet për t’i dhënë një zgjidhje definitive problematikës së këtij lumi kanë filluar shumë herët, në vitin 2009, kur ka nisur hartimi i projektit të rehabilitimit të lumit Gjanica dhe me vendim nr. 8, datë 03.12.2014 është miratuar në KKT “Leja e ndërtimit për rehabilitimin e lumit Gjanicë”.

“Në të gjitha dokumentet e planifikimit, planet e përgjithshme të miratuara në 2007, 2013 dhe 2016, është trajtuar lumi Gjanica si një arterie kryesore e qytetit, për të cilin synohet jo vetëm pastrimi, por edhe kthimi i një zone ripariane të gjelbëruar rekreative”, sqaron Subashi.

Gjithashtu, pas hartimit të projektit të rikonceptimit të qendrës së qytetit në 2017, sipas Subashit është parashikuar zhvillimi i një hapësire shplodhëse dhe të integruar me funksione të tjera publike.

“Me vendimin Nr. 66, datë 25.09.2017 të Këshillit Bashkiak është miratuar projekti “Rikonceptimi i Qendrës së qytetit”. Nëpërmjet këtij projekti synohet rikualifikimi i qendrës duke krijuar një hapësirë të re, me fokus krijimin e një identiteti autentik dhe hapjen e një dimensioni të ri bashkëkohor. Nëpërmjet këtij projekti synohet zhvillimi i një strategjie afatgjatë dhe krijimi i një imazhi të ri për qytetin e Fierit”, tha Subashi.

Po ashtu sipas tij, nga viti 2014, Bashkia Fier ka një studim të miratuar të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për miratimin e lejes së ndërtimit për rehabilitimin e Lumit Gjanica”. Në funksion të këtij projekti, është miratuar nga KKT në 2016, edhe Plani i Përgjithshëm Vendor.

Situata aktuale 

Lumi i Gjanicës sot vuan nga një ndotje e madhe mjedisore si pasojë e aktiviteteve industriale dhe bujqësore, erozionit ujor, urbanizimit si dhe zhdukjes së zonës ripariane.

I cilësuar si “arteria e zezë” e Fierit, lumi Gjanica e vendos qytetin në hartën e zezë mjedisore sa i takon nivelit të ndotjes.

Në vite janë ndeshur vështirësi për të siguruar fonde të mjaftueshme për ndërhyrje madhore, ndërsa kërkohej nevoja për përfshirjen e disa aktorëve, përfshirë këtu edhe pronarët e ndërtimeve të kryera përgjatë fashës lumore.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne