Fiktiviteti i parullës “Rama në burg, Berisha në burg” për të fshehur riprodhimin e Kartelit Politiko-Fetar

Komente mbi fjalën e mbajtur në Protestën Kombëtare, 14 qershor 2026, ora 19:20 para Kryeministrisë

Nga Artur Shkurti
Drejtor, “Udha e shkronjave”
Tiranë, 15 qershor 2026

Tiranë, më 14 qershor 2026, Ora 19:00
Para Kryeministrisë
Pasi u pamundësua për dy ditë (12-13 qershor), ditën e tretë na ftuan vetë në protestë, pasi kishim botuar një artikull me titull “Fjala e pamundësuar në protestë”. Protesta është mikse dhe iu drejtuam vetëm njërit prej grupeve, pa ndonjë njohje të madhe, por edhe për të provuar se si shkojnë punët. Një nga grupet organizatore të protestës reaguan (Andi Tepelena), na thirrën ta mbajmë fjalën. E pranuam ftesën për të folur 3-5 min, që me standardin e kohës së të folurit aty ishte shumë dhe për këtë na erdhi mirë. E ndryshuam fokusin e fjalës që kishim botuar një ditë më parë, meqë na u desh ta shkurtonim me 66% fjalën e botuar një ditë më parë dhe duhet të mbash një argument dhe jo shumë të tillë. Besojmë që doli më funksional.

Refuzuam parullën çorientuese
“Rama në burg, Berisha në burg”
Kur hymë në zonën ku ndodhet fonia, me anë të lejes së një organizatori, dy persona njëri pas tjetrin na kërkojnë me këmbëngulje që fjalimin ta mbarojmë me parullën “Rama në burg, Berisha në burg”. U thamë “nuk do ta themi se përfaqësojmë shkollë e nuk na shkon”. Nga ana tjetër, ky refuzim yni, nuk do t’u prishte asnjë punë atyre që e donin parullën, se ndërkohë ata vetë po e thoshin e s’po i ndalonte njeri në konceptin e tyre. Ne kishim konceptin tonë. Shumica e folësve iu bind udhëzimit. Punë e tyre. Ne na duket që ky është një shfokusim i qëllimshëm. Populli nuk e ka me Ramën dhe me Berishën, por kërkon Qeverinë Kombëtare. Që të vijë Qeveria Kombëtare duhet të bjerë Qeveria Antikombëtare. Përmbysja e Qeverisë ka lidhje me forcën e Opinionit Publik që shprehet me protestë, ndërsa burgu nuk bëhet me “opinion publik” por me ligje, gjykata, prokurori etj.
Konceptet e fjalës që mbajtëm në protestë

1. Populli kërkon zgjidhje afatgjatë, jo thjesht paradë të mërzitjes popullore e të inatit të çastit. Ndaj në fjalë iu referuam programit kombëtar, që për ne qëndron ende tek Rilindja Kombëtare që konceptoi vetëdijen dhe edukimin kombëtar, parimet e lëvizjes së kombit shqiptar, lloijn e shtetit e të demokracisë, trajtimin e çështjes fetare, të sistemit arsimor, të aleancave dhe të trajtimit të fqinjëve etj. një tërësi veprash, analizash dhe orientimesh që nuk mund të ribëhen më, por janë të sakta për disa shekuj, siç është Bibla dhe Kurani.
Kjo është arsyeja që fjalimin e ngarkuam qëllimisht me shumë citime funksionale për situatën nga Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Gjergj Fishta, të katër janë udhërrëfyes për kombin. Donim të theksonim se sa pavlerë janë ata që kërkojnë të instalojnë shpërfilljen. Kjo është arsyeja që përmendëm ligjin 93/2022 që tinëz hoqi Urdhrin “Naim Frashëri”, për të thënë se nëse nga një anë ata instalojnë shpërfilljen, në fakt vetë nuk janë duke shpërfillur, por duke luajtur “ethshëm” në themelet e Kulturës Kombëtare. Si antishqiptarë që janë duan të dëmtojnë, dhe ndërkohë të vënë në gjumë që të mos e shohësh dëmin.
2. U pa fare qartë, se lidhja e citimeve nga Rilindja Kombëtare me logjikën e protestës kombëtare, orientimin e saj bazuar në analizën e gjendjes sonë kombëtare ishte shumë e fortë dhe jo sipërfaqësore. Njerëzit reaguan pozitivisht.

KARTELI POLITIKO-FETAR
3. Për herë të parë në protestë, por edhe në jetën publike ne flasim për Kartel Politiko-Fetar që është shumë më lart se qeveria, se çdo parti, dhe se çdo institucion fetar. Ekzistojnë tri kartele: karteli politik, karteli fetar dhe karteli politiko-fetar. Karteli politiko-fetar është sa shqiptar, aq i huaj, dhe lidhet me çimento, hekur nga tradita dhe konstrukti i një shoqërie e një shteti. Është edhe një marrëveshje tradite, pra nuk është aq e thjeshtë për ta trajtuar, por bëhet gabim edhe të mos trajtohet.
Karteli Fetar ndonjëherë kërkon të quhet me një emër ledhatar fiktiv “Harmonia fetare”. Harmonia fetare mbahet nga sinteza e besimeve fetare dhe kjo bëhet prej vetë popullit dhe Karteli fetar thjesht nuk ka çfarë t’i bëjë këtij fakti që është në traditën shekullore të kulturës shqiptare, të familjeve e fiseve. Duan ta ndryshojnë e nuk e ndryshojnë dot. Duan ta përçajnë e nuk e përçajnë dot dhe atëherë “një dorë që s’kafshohet puthet” me etiketën “jemi harmonikë fetarë”. Por kur t’i pyesësh se ku i kanë botimet e “harmonisë fetare” datat e shenjta, njerëzit e shenjtë të harmonisë fetare, do të shohësh se kërraba u tërheq nga vetja dhe jo nga harmonia. Shembull të padiskutueshëm janë poetët Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta. Edhe pse ka një dakortësi kombëtare që edukimi kombëtar t’u besohet Naimit dhe Fishtës (si majat), kush e fiton “Garën”?! Nuk e fiton kombëtarizimi por “internacionalizmi” E fiton “Nënë Tereza”, që s’ka as një të mijtën e mësimit moral, human e kombëtar që kanë Naimi dhe Fishta.
Nuk e vë re Kisha Katolike këtë “paradoks”?! Nuk paska ajo mundësi ta ndreq këtë “skoliozë”, që e ka krijuar vetë me interesin e konvertimit të detyrueshëm përmes ditës së pushimit?! Ndërmjet edukimit “global” dhe “kombëtar” ajo zgjedh “Nënë Terezën” që e tërheq më shumë kërrabën nga Vatikani sesa At Gjergj Fishtën që e tërheq kërrabën nga Edukimi Kombëtar. Të mos flasim pastaj për goditjen e hapur që Karteli Fetar i ka bërë Poetit Kombëtar Naim Frashëri. Nuk e vë re Kryegjyshata që Naim Frashëri po sulmohet hapur?! E vë re dhe nuk bën asnjë përçapje ta mbrojë por veç disa veprimtari sa për të hedhur hi syve popullit. Kisha Ortodokse po shenjtëron Janullatosin sesa Fan Nolin, Visarion Xhuvanin apo Kisin që ishin shqiptarë etj. Xhamitë kanë kaq shumë probleme me ndërhyrjen e huaj. Nëse duam ta provojmë Kartelin Fetar është dakortësia e tyre për të luftuar në unison kombëtarizimin, bashkimin, dhe Rilindjen Kombëtare që e drejton popullin nga shkolla shqipe, jo për ta bërë armik me fenë, por sepse bashkimi mësohet në shkollat shqipe më shumë sesa në Faltore. Këtu hyn në krizë Karteli Fetar.
Karteli Politik është kaq evident, ndaj ka një farë kuptimi e mbështje teza “rama në burg, berisha në burg” për të konfirmuar ekzistencën e kartelit. Megjithatë ky është një thjeshtëzim. Karteli Politik ushqen dhe ushehet prej Kartelit Fetar. Pra janë simbiozë.
Karteli politiko-fetar për të riprodhuar veten ka nevojë për devizën “përça e sundo” dhe kjo është arsyja pse cituam aq shumë rilindjen që theksi e vinte tek “vëllazëria e bashkimi i shqiptarëve” që është bërë i vështirë.

Naim Frashëri autor i Sintezës së Besimeve Fetare
Cituam Naim Frashërin si autor të sintezës së besimeve fetare, me emrin Besa e Bujarëve Shqiptarë. Sinteza është bazë e Harmonisë Fetare dhe e Edukimit Kombëtar që bën realitet devizën e Rilindjes “Feja e shqyptarit asht shqyptaria” (Pashko Vasa). Është e dukshme që Karteli Fetar nuk e ka me aq qejf të diskutojë për sintezën e besimeve fetare, sepse e dinë fort mirë që “Sintezën” do ta mësojë Sistemi Edukativ Publik dhe jo Faltorja. Mirëpo shkolla nëse realisht zbaton “sintezën” bëhet e fuqishme dhe ia kalon Faltores. Atëherë Karteli Politiko-Fetar saboton Shkollën Publike nga Edukimi Moral dhe Kombëtar dhe e bën një “paçavure” që të shkëlqejë Faltorja me dogmat e veta.
Ndaj e shpërfillin dhe japin përshtypjen se “sinteza” nuk ka dhe aq rëndësi. Kjo është arsyeja që u lexuam nga Naim Frashërit vargjet për “BESËN”, vargu më thelbësor i të cilit është “se në jetë s’ka dy besë, një është e një do të mbesë”. Ekzistenca e kartelit politiko-fetar provohet me dëmtimin e edukimit kombëtar në shkollë, me paaftësimin e qëlllimshëm të saj për të mësuar “Besën e Bujarëve Shqiptarë”. Kjo është arsyeja pse e theksuam në fjalën tonë “Që këto gjëra nuk i keni mësuar as në kohën e komunizmit, as tani”. Komunizmi për interes të PPSH-së, tani për interes të e Kartelit Politiko-Fetar, që i hap udhën ndërhyrjes së huaj.
E mbyllëm me vargjet e Naimit “Botës i dhanë lirinë, duke ngrehur parësinë, dhe të zgjedhënë një të parë, dhe të urtë e jo të marrë” që përputhet me qëllimet që duhet të ketë protesta kombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne