Opinion

Filistinët proamerikanë

Vota e Shqipërisë dhe marrëdhëniet Tiranë-Uashington

Është argëtuese, por më shumë është për të ardhur keq, kur sheh e dëgjon se si një grup njerëzish profanë, filistinë, fodullë, naivë në politikë dhe diplomatë të paaftë e qejfmbetur u janë sulur këto ditë kryeministrit dhe ministrit të jashtëm të këtij vendi me akuzat më absurde se gjoja këta kanë tradhëtuar Amerikën, kanë dëmtuar interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara, interesat kombëtare të Shqipërisëe të tjera broçkulla si këto. Ja ç’thonë disa prej tyre:

Petrit Vasili çirret duke thënë: “Kryeministri Rama përdoret e investohet totalisht kundër Amerikës në mënyrë të paturp dhe në kundërshtim me interesin kombëtar”; “mbi të tashmë rëndon një faj shumë i rëndë historik”; “votimi antiamerikan në OKB [është] imoralitet dhe një dëm shumë i madh”.

Kastriot Islami, një politikan në pension shkruan se: “Qëndrimi antiamerikan i qeverisë shqiptare është kundër paqes”, sepse (vëreni argumentin e tij), “ambasada [amerikane] shkruan se “ne po vazhdojmë të punojmë për paqen”. Përsëri Islami: “Qëndrimi i qeverisë Rama kundër nismës së presidentit Trump është jashtë realitetit të tanishëm dhe historik të Izraelit, sepse “këtë realitet e thekson dhe ambasada [amerikane] në deklaratën e saj”. K.I., profeti i dështuar i të gjitha zgjedhjeve parlamentare dhe zhvillimeve politike në Shqipëri parashikon këtë herë se “ky qëndrim anti-SHBA [do] të arkivohet si një qëndrim kundër interesave të Shqipërisë, por edhe si një qëndrim që do të ndikojë në partneritetin Shqipëri-SHBA”. K.I. deklaron se ky qëndrim “nuk është vetëm një qëndrim kundër presidentit Trump, por edhe një qëndrim kundër Shteteve të Bashkuara”.

Ndërsa P. Vasilit mundet edhe të mos i vihen re përçartjet e mësipërme, sepse ai kaq di, kaq thotë, ky i fundit, K.I., ka qenë një herë e një kohë kryetar i Parlamentit, pastaj, një herë e një kohë tjetër zëvendëskryeministër dhe, më vonë, ministër i jashtëm i këtij vendi. Të thëna prej tij, vlerësimet e mësipërme dëshmojnë edhe një herë qartazi mjerimin e mendimit politik dhe amatorizmin diplomatik të një pjese të politikanëve të këtij vendi. Shqipëria kundër Amerikës! O tempora, o mores!

Flet edhe një poet, Preç Zogaj. Edhe ky thotë se Shqipëria na qenka “rreshtuar kundër Amerikës” dhe se, “përveçse e gabuar, vota e qeverisë sonë në OKB është lënduese për vlerat dhe virtytet e racës sonë”! Besoj se fjala “racë” këtu përdoret në ndonjëkuptimin poetik të fjalës, edhe pse ka më shumë të ngjarëqë poeti me racë kuptonetninë. Sidoqoftë, është patetizëm dhe absurditet të mendosh e të shkruash, siç bën Zogaj, se “Shqipërisë i shkon, i intereson dhe duhet të votojë pro Amerikës…edhe po të ndodhë të jetë i vetmi vend që voton ashtu”.

Nëse e gjithë bota do ta kundërshtonte Amerikën për qëndrime e çështje që çdo populli dhe të gjitha vendeve të planetit do u dukeshin të padrejta, do të ishte absurde dhe e gabuar të veprohej siç sugjeron Zogaj, pra që vetëm Shqipëria ta mbështeste atë. Ky mentalitet tribal dhe absurd i “besëmbajtjes” nuk ka vend në politikë. Nuk ka asnjë vend në botë i cilitë ketë zhvilluar e ruajtur për mëshumëse një shekull një marrëdhënie kaq të veçantë me Amerikën sa Britania e Madhe, por edhe ky vend, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara votoi pro rezolutës që kundërshton vendimin arbitrar të presidentit Trump. Shqipëria nuk është dhe s’mund bëhet më britanike se Britania e Madhe, për të mos thënë se, përveç votës së saj, si një vend sovran, që është e barabartë me votën e Britanisë së Madhe dhe me atë të çdo vendi tjetër anëtar në OKB, roli dhe pesha e saj në politikën globale janë thuajse të papërfillshëm.

Shqipëria u bë, një herë e një kohë, aleatja me besnike e Moskës, kur kjo drejtohej nga Stalini. Më vonë “lidhi besën” me Kinën e Kryetarit Mao dhe ne e pamë se ku na çoi ajo “besnikëri”. Natyrisht, Amerika demokratike nuk është as Bashkimi Sovjetik, as Kina komuniste.Por,në rastin konkret, nuk bëhet fjalë për të mbështetur parimet e “paqes, të lirisë e të demokracisë që motivojnë politikën globale të Shteteve të Bashkuara”, siç shprehet Zogaj, prandaj është krejt pa kuptim deklarata që bën ai se “vota e Shqipërisë kundër SHBA-së në OKB përbën një shmangie absurde nga trajektorja” e ndjekur deri më sot. Në fakt absurd është ky argument i poetit dhe jo qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj kësaj çështjeje.

Duke qenë se nuk më lidhin me ta as njohuritë, as vlerat dhe as shijet apo simpatitë e mia politike e diplomatike, nuk i kam dëgjuar apo lexuar ndonjëherë se çfarë thonë ose shkruajnë njerëz të tillë, si ish-ministri famëkeq i mbrojtjes, F. Mediu, apo një ndër ish-shefat i misionit diplomatik të Shqipërisë në Nju Jork, A. Nesho, për marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara dhe, aq më pak, për politikën e jashtme të vendit tonë. Narcisizmi i tyre më trazon stomakun, ndërsa amatorizmi në diplomaci i bën ata qesharakë. Këta dy individë, siç më thonë, në një emision televiziv pak ditë më parë, i kanë dalë në mbrotje vendimit të presidentit Trump duke dënuar ashpër votën e qeverisë shqiptare në Asamblenë e Përgjithshme. Dikush në Uashington duhet t’i ketë thënë ministrit të mbrojtjes të Gërdecit se presidentit Trump i duhej mbështetja e tij në Tiranë, ndërsa Nesho këtë e ka kuptuar intuitivisht, ndaj, këta bufonë, s’lanë gjë pa thënë kundër qëndrimit të qeverisë shqiptare.

As që ia vlen të merresh me deklaratat e Sali Berishës se gjoja vota e Shqipërisë në OKB është “një kthim pas në politikën e vjetër antiamerikane”. Deklaratat e tij nuk i merr më askush seriozisht. Nëse në këto 26 vitet e fundit ka pasur ndonjë politikan të lartë shqiptar që është shprehur dhe ka vepruar hapur kundër direktivave dhe interesave amerikane në Shqipëri dhe në rajon, ky ka qenë Sali Berisha.

Mendoj se edhe presidenti i vendit, i cili ka një përvojë të gjatë e të pasur në politikë dhe në diplomaci, në letrën e tij për z.Trump gaboi kur e cilësoi votën e Shqipërisë në OKB si një votë “kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, që gjoja “bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe me interesat tona kombëtare”. Nëse z. Meta, si kreu i shtetit, nuk është konsultuar për qëndrimin që do të mbante qeveria shqiptare në Asamblenë e Përgjithshme lidhur me rezolutën që kundërshton vendimin e presidentit amerikan për Jeruzalemin, ai sigurish ka të drejtë të kërkojë shpjegime. Por, unë jam i bindur se, nëse z. Meta do të ishte aktualisht kryeministër i vendit, ose ministër i jashtëm, siç ka qenë disa herë gjatë karrierës së tij, ai vetë do të kishte udhëzuar që përfaqësuesi i Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të votonte njëlloj siç ndoshi këtë herë. Për një politikan dhe diplomat me përvojë si ai, nuk më duket dinjitoze mënyra se si kreu i shtetit i “shfajësohet” presidentit Trump lidhur me votën e qeverisë shqiptare.

Edhe pse K. Islami pretendon se kundërshtimi ndaj votës së qeverisë shqiptare në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është një qëndrim “pothuajse i përgjithshëm në Shqipëri” (ai është provuar shumë herë se është një njohës dhe “matës” i keq i sentimenteve dhe i vullnetit politik të shqiptarëve), pjesa dërrmuese e njerëzve që unë njoh dhe me të cilët shoqërohem mendojnë krejt ndryshe. Unë bashkohem me vlerësimet realiste të analistëve të njohur Skënder Minxhozi dhe Shpëtim Nazarko për këtë çështje. Po kështu, i konsideroj të arsyeshëm qëndrimin e ish-ministrit të jashtëm Besnik Mustafaj dhe mjaft të qarta shpjegimet publike të ministrit të jashtëm Ditmir Bushati.

Mësimi i parë në shkencën e marrëdhënieve ndërkombëtare është se parimi themelor nga i cili orientohet dhe udhëhiqet politika e jashtme e çdo vendi sovran dhe me të cilin nuk mund të bëhet kompromis është mbrojtja e interesave kombëtare. Me votën e saj në Asamblenë e Përgjithshme, qeveria shqiptare nuk i ka tradhëtuar, as i ka dëmtuar interesat kombëtare, por ka vepruar në përputhje me to.

Vota në favor të rezolutës në OKB nuk është një votë kundër Amerikës, madje nuk ka të bëjë aspak me Amerikën. Ajo votë nuk i bën shqiptarët—të njohur botërisht si një ndër popujt më proamerikanë—antiametikanë.

Qëndrimi i qeverisë shqiptare në të njëjtën linjë me qeveritë e vendeve kryesore të Bashkimit Europian dhe me dy të tretat e vendeve anëtare të OKB-së nuk ka absolutisht të ngjarë që tí dëmtojë sado pak marrëdhëniet ndërshtetërore mes Tiranës dhe Uashingtonit. Mos ua vini veshin Islamëve, Neshove apo Vasilëve. Çdo qeveri demokratike shqiptare e ka provuar sa e sa herë në këto 26 vite qëndrimin e saj të vendosur në mbështetje të Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë strategjik kryesor, dhe ka pasur vazhdimisht mbështetjen e Uashingtonit në procesin e zhvillimit e të demokratizimit të vendit.

Nga përvoja ime si ambasador i Shqipërisë në Uashington kujtoj dy ngjarje shumë të rëndësishme që e provojnë më së miri këtë. Ngjarja e parë: Atë që nuk e bënë Franca dhe Gjermania në atë kohë—pjesëmarrjen në Koalicionin e Vullnetit në Irak, përkrah Shteteve të Bashkuara—e bëri vendi ynë. Shqipëria ishte ndër katër vendet e para (bashkë me Britaninë e Madhe dhe Australinë) që dërgoi trupat e saj në mbështetje të operacioneve ushtarake amerikane në atë vend, në pranverën e vitit 2003. Më parë e kishte bërë këtë edhe në Bosnje dhe në Afganistan. Në atë kohë, duke shprehur vullnetin e qeverisë shqiptare, unë shkrova për gazetën Washington Timeskëto radhëIf you believe in freedom you believe in fighting for it. If you believe in fighting for it you believe in America” (Kush beson te liria, beson se duhet luftuar për të. Dhe kush beson në luftën për liri, beson tek Amerika). Rasti i rezolutës së fundit nuk ka asgjë të përbashkët me këtë që sapo përmenda.

Ngjarja e dytë ka qenë nënshkrimi në Tiranë nga Sekretari i Shtetit Colin Powell dhe kryeministrit Fatos Nano i marrëveshjes dypalëshe lidhur me paragrafin 98 të Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, më 2 maj 2003.Për shkak kryesisht të dy faktorëve—presionit politik nga Bashkimi Europian dhe situatës shumë delikate në kryesinë e Partisë Socialiste pas konfliktit Nano-Meta dhe kompromisit të tyre për krijimin e një kabineti të ri qeveritar, në të cilin Nano dhe Meta do të ndanin vendet Një dhe Dy në qeverinë e re—ishte e vështirë të merrej një vendim i prerë për nënshkrimin e një marëveshjeje të tillë dypalëshe me Uashingtonin. Vendet kryesore të Bashkimit Europian, Franca veçanërisht, kishin bërë të qartë se nuk do të toleronin asnjë vend të komunitetit ose të Europës Lindore që të ndërmerrte një hap të tillë. Ky ishte thuajse një vendim kolektiv i BE-së. Edhe pse qeveria rumune e kishte nënshkruar një marëveshje të tillë dypalëshe me Uashingtonin, për të siguruar mbështetjen e administratës dhe të Senatit amerikan në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Pragës, për shkak të presionit të BE-së, kjo marëveshje nuk u ratifikua në atë kohë nga parlamenti rumun.

Nënshkrimi i asaj marrëveshjeje me qeverinë shqiptare kishte një rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara, pasi Uashingtoni ishte dhe mbetet shumë i preokupuar për fatin e ushtarëve amerikanë kur i dërgon ata që të luftojnë larg vendit të tyre për lirinë e të tjerëve, në atë kohë edhe në Kosovë. Megjithë kundërshtimet e vendosura të vendeve të BE-së, sugjerimi im për qeverinë shqiptare ishte që ta nënshkruante atë marrëveshje për këto arsye: Së pari, vetë Statuti i Romës, me paragrafin 98 të tij, krijonte hapësirën e nevojshme juridiko-ndërkombëtare për nënshkrimin me Shtetet e Bashkuara të një marëveshjeje dypalëshe nga cilido vend i veçantë aderues në këtë traktat.Së dyti, në kushtet kur perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk dukej ende në horizont, ishte në interes të vendit tonë që të forconte marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara. Së treti, ishte në interesin e ruajtjes së paqes e të forcimit të sigurisë në Ballkan dhe në Kosovë që forcat ushtarake amerikane të vazhdonin të qëndronin në Kosovë, për çka nënshkrimi i një marrëveshje të tillë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të ishte më shumë sesa një gjest simbolik nga ana e qeverisë shqiptare.Së fundmi, qeveria maqedonase dhe ajo bullgare po e konsideronin seriozisht në atë kohë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë dypalëshe me Uashingtonin dhe, nëse ato e nënshkruanin atë marrëveshje, nuk do të ishte mirë që qeveria e vendit më proamerikan në Europë, siç konsiderohej në atë kohë—dhe sot—Shqipëria, të vonohej për nënshkrimin e një marëveshjeje, të cilën, në fund të fundit, isha i sigurt se qeveria shqiptare do ta nënshkruante një ditë. Deri atëherë një marëveshje të tillë e kishin nënshkruar 17 shtete—asnjë shtet europian veç Rumanisë—dhe nuk do të ishte mirë që Shqipëria të ishte vendi i 50-të ose i 100-të që do e nënshkruante atë.

Këta dy shembuj i solla për të theksuar se asnjë qeveri shqiptare, qysh nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Uashingtonin 26 vite më parë, nuk ka hezituar të pozicionohej hapur në krah të Shteteve të Bashkuara sa herë që kjo është kërkuar nga ky vend i madh aleat. Por, e theksoj, rasti i votës së Shqipërisë në OKB ditët e fundit nuk është as antiamerikanizëm, as nuk cënon interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aq më pak interesat kombëtare të vendit tonë.

Unë vetë besoj se, në një kohë kur Lindja e Mesme vazhdon të mbetet një rajon shumë i trazuar dhe kur çështja palestineze vazhdon të mbetet e pazgjidhur, vendimi i presidentit Trump për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytetin zyrtar të Shtetit të Izraelit nuk i shërben zgjidhjes së konfliktit palestinezo-izraelit, por e bën edhe më të vështirë, në mos të pamundur zgjidhjen e tij. Ky vendim, i kundërshtuar nga të gjitha fuqitë e mëdha të globit, përfshirë edhe aleatët europianë kryesorë të Shteteve të Bashkuara në NATO—Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën—do të ishte absurd të mbështetej nga Shqipëria. Nëse do të veprohej në atë mënyrë, Shqipëria do të renditej mes vendeve të tilla, si Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Palau dhe Togo, që votuan kundër asaj rezolute. Por, a do të ndihej qeveria e këtij vendi dhe ne të gjithë, si shqiptarë, në shoqërinë e këtyre vendeve më mirë sesa mes anëtarëve të familjes sonë europiane?

Prof. Fatos Tarifa

OPINIONE