Fillon stërvitja më e madhe ushtarake e Turqisë

Turqia filloi të hënën stërvitjen më të madhe të planifikuar në historinë e saj, “Ujku i detit-2019” (Denizkurdu).

Stërvitja realizohet njëherësh në të tre detet që e rrethojnë Anadollin, detin Mesdhe, detin Egje dhe detin e Zi. Në stërvitje marrin pjesë 131 anije, 57 avionë dhe 33 helikopterë ushtarakë, sipas një komunikate të Shtabit të Përgjithshëm.

Stërvitja është planifikuar nga Forcat Detare në kuadër të Programit Vjetor të Stërvitjeve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke dhe do të komandohet e kontrollohet nga Komanda e Qendrës së Luftës Detare. Kjo është hera e parë që një stërvitje kaq e madhe realizohet njëherësh në tre dete, Mesdhe, Egje, Zi.

Trajnimet përgatitore në nivelin operativ Forcat Detare Turke i kishin përfunduar me Manovrën “Vatani i kaltër-2019”, që ishte realizuar në shkurt të këtij viti. Kurse stërvitjen “Ujku i detit” Turqia e realizon si një stërvitje me pjesëmarrje shumë herë më të madhe në nivel strategjik dhe operativ duke u mbështetur në skenarë më të zhvilluar në situata krize-tensioni e kohë lufte.

Një nga qëllimet e stërvitjes është të rritë nivelin e përgatitjes operacionale të njësive, anijeve dhe mjeteve ajrore detare që janë pjesë e Komandës së Forcave Detare. Pjesa e stërvitjes që përfshin Mesdheun zhvillohet me një pjesëmarrje të lartë të anijeve, avionit të patrullimit detar dhe helikopterëve detarë, mjete të cilat rrallë vihen re në flotat më të zhvilluara.

Kurse në manovrën që do të realizohet në Mesdheun Lindor do të realizohen bombardime nga toka si dhe qitje të mbrojtjes ajrore dhe mbiujore kundër mjeteve ajrore pa pilot me shpejtësi të lartë, të cilat janë emërtuar “rrufeja”, si dhe kundër objektivave mbiujore të quajtura “albatros”.

Stërvitja do të vazhdojë deri më 25 maj./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne