Fituesja e çmimit Nobel, Karman i bën thirrje lideres së Mianmarit: Ose fund dhunës, ose dorëhiqu

Nobelistja Tawakkol Karman i bëri thirrje lideres së Mianmarit, Aung Suu Kyi, t’i japë fund dhunës ndaj muslimanëve të Arakanit dhe të ndihmojë kthimin e tyre në vendlindje.

Fituesja e çmimit Nobel, Karman, vlerësoi vizitën që do ta realizojë në kampet e refugjatëve në qytetin Cox Bazaar të Bangladeshit. Këtë vizitë, me të cilën synohet të mbështeten gratë muslimane të Arakanit, Karman do ta realizojë së bashku me Shirin Ebadi dhe Mairead Maguire, poashtu fituese të çmimit Nobel. Karman ndau dhe vlerësimin e saj për hapat të cilat duhet ndërmarrë bashkësia ndërkombëtare për muslimanët e Arakanit.

Karman tha se kanë ardhur në Bangladesh në emër të shoqatës “Nobel Women’s Initiative”, në të cilën bëjnë pjesë gjashtë fituese femra të çmimit Nobel, dhe se gjatë kësaj vizite pritet të vlerësojnë kushtet me të cilat përballen muslimanët e Arakanit, duke filluar nga dhuna ndaj femrave.

Duke theksuar se gjatë ditës së sotme do të vizitojnë kampin “Balu Khali”, Karman tha se nga vendi do të largohen më 1 mars.

Ajo bëri të ditur që kriza aktuale është prodhim i një kornize të gjerë politike të krijuar nga militarizimi i tepërt i qeverisë së Mianmarit, e cila me diskriminim sistematik ka krijuar një kulturë të pandëshkueshmërisë dhe nënçmimit të pakicave etnike.

“Në kampet e Bangladeshit janë të strehuar afro 700 mijë Rohingya. Këta refugjatë kanë shumë arsye për të mos u kthyer prapa. Ushtria e Mianmarit ka djegur fshatrat e muslimanëve Rohingya, ka ekzekutuar mijëra persona. Ushtria është përgjegjëse për përdhunim në masë ndaj grave”, tha Karman, duke theksuar se qeveria e Mianmarit, muslimanët e Arakanit të cilët nuk i konsideron si njerëz, i ka privuar nga të drejtat themelore si shtetësia, pronësia dhe arsimi.

Ajo poashtu tha se ka ende gra të cilat përpiqen ta kalojnë kufirin e Bangladeshit për shkak të traumave fizike nga përdhunimet.

“Gratë Rohingya janë viktima dy herë: sepse janë Rohingya dhe sepse janë gra. Për dhjetra vite, në Mianmar janë të ekspozuar ndaj çdolloj dhune sistematike shtetërore, duke përfshirë edhe dhunën seksuale, dhe tani, duke u zhvendosur nga vendi i tyre, si refugjatë përballen me sfida të reja”, tha Karman.

Karman më tej theksoi se nevojat themelore të grave në kamp nuk janë të përmbushura.

“Vetëm 20 për qind e grave të zhvendosura për shkak të dhunës seksuale kanë qasje në trajtim. Jemi të shqetësuar për raportet lidhur me gratë dhe vajzat të cilat gjatë rrugës së migrimit bien në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore. Duhet dhënë përparësi sigurisë së grave dhe vajzave”, u shpreh ajo.

“Ose jepi fund dhunës, ose jep dorëheqje”

Bangladeshi është vendi i tetë në botë sa i përket numrit të popullsisë dhe nuk do të arrijë të dalë nga kriza vetëm, tha Karman, e cila më tej i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë Bangladeshin, ku janë strehuar muslimanët e Arakanit të cilët nga persekutimi u detyruan t’i braktisin tokat e tyre.

“Nuk duhen vazhduar përpjekjet për ‘kthim në shtëpi’ derisa Mianmari nuk zotohet me të vërtetë se me Rohingyat do të sillet si shtetas të vërtetë dhe se do të mbrojë të drejtat e tyre njerëzore. Edhe rregullimi i Kartës për Verifikim Kombëtar nga qeveria e Mianmarit është tregues i rrezikshëm se Mianmari nuk është i gatshëm t’i trajtojë Rohingyat si shtetas të vërtetë. Presioni nënkupton që ata shkelin ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, vlerësoi Karman duke folur për hapat konkretë të cilat duhet ndërmarrë.

Ajo më tej theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet dhënë prioritet nxjerrjes para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera.

“Shkak i krizës së refugjatëve janë krimet kundër njerëzimit që ushtria dhe qeveria e Mianmarit kanë kryer në Arakan. Mbështetja e refugjatëve është një përgjegjësi globale që duhet ndarë. Meqë është afruar edhe periudha e shirave monsunë, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta mbështesin Bangladeshin dhe t’i japin përparësi përmbushjes së të gjitha nevojave themelore të grave të ekspozuara ndaj dhunës seksuale, duke përfshirë edhe trajtimin mjekësor dhe psikosocial”, konsideron Karman.

Karman i bëri thirrje dhe lideres “nobeliste” të Mianmarit, Suu Kyi “që menjëherë të ndalojë dhunën ndaj Rohingyave, të ndihmojë kthimin e tyre në tokat e veta, të mundësojë të jenë pronarë të tokave dhe pasurisë dhe t’u njohë të drejta të plota të shtetësisë”.

“Ose duhet ta bëjë këtë, ose, nëse nuk mundet, duhet të japë dorëheqje. Përndryshe, Suu Kyi do të konsiderohet përgjegjëse për krimet e kryera nga forcat ushtarake të Mianmarit dhe këtë çështje do ta bartim në Gjykatën Penale Ndërkombëtare”, tha ajo.

Nobelistët apel Suu Kyisë për Arakanin

Dymbëdhjetë nobelistë dhe 18 personalitete të tjera, në mesin e të cilëve gjendeshin politikanë dhe artistë, në muajin shtator, kur çështja e Arakanit ishte në agjendë, i dërguan një letër të hapur kreut dhe shteteve pjesëmarrëse në Këshillin e Sigurimit së OKB-së, ku apelohej për ndërhyrje në “krizën humanitare” në Arakan.

Edhe laureatët e Nobelit Novel Malala Yousafzai dhe Desmond Tutu i kanë bërë thirrje “nobelistes” Suu Kyi për të reaguar ndaj ngjarjeve në Arakan.

I njëjti apel në formë të letrës së hapur është publikuar nga organizata “Nobel Women’s Initiative”, apel ky në të cilin kanë nënshkruar Mairead Corrigan, Jody Williams, Shirin Ebadi, Leymah Gbowee dhe Tawakkol Karman, femra të cilat në të kaluarën kanë marrë çmimin Nobel.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas të dhënave të publikuara nga OKB, 655 mijë muslimanë të Arakanit janë strehuar në Bangladesh që nga 25 gushti i vitit të kaluar, si pasojë e dhunës në Mianmar. Supozohet se në vitet e 70-ta në Arakan kanë jetuar afro dy milionë muslimanë, ndërsa për shkak të ikjes nga sulmet sistematike, ky numër është zvogëluar në 350 mijë.

Nga ana tjetër, sipas pamjeve satelitore të publikuara nga organizatat për të drejtat e njeriut, në rajon janë djegur mbi 350 fshatra të muslimanëve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne