Flet zv.ministri i Brendshëm: Kur do të ekstradohet Arbër Çekaj në Shqipëri

Një ditë pas arrestimit në Gjermani të shtetasit Arbër Çekaj, pronarit të kompanisë në kontejnerët të së cilës u gjet drogë, ka folur edhe zv.ministri i Brendshëm, Besford Lamallari. Në emisionin “Kjo Javë” në “News24”, ai ka treguar detaje nga operacioni, i cili u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare. Lamallari ka shtuar se paralelisht po vijojnë hetimet për raste të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës, por që fshihen në vende të ndryshme.

“Nga momenti që është realizuar sekuestrimi i sasisë rekord të kokainës, 3 orë më pas u realizua kontaktimi i autoriteteve ndërkombëtare, pasi kishte dyshime se administratori i kompanisë ku u gjet droga ndodhej në Gjermani. U kryen një sërë operacionesh të fshehta që të bëhej lokalizimi i shtetasit Arbër Çekaj. Paraditen e djeshme u bë i mundur edhe arrestimi i tij në Dyseldorf. Dyshohet edhe për persona të tjerë, të cilët ndodhen në vende të tjera.

Ka pasur ekspertë nga policia shqiptare që janë nisur në Gjermani, dhe kanë bashkëpunuar me autoritetet atje. Së fundmi ata janë kthyer në Shqipëri, pas bashkëpunimit. Jemi shumë të interesuar që këto hetime të shkojnë sa më larg, dhe të arrihet rezultate konkrete. Vazhdojnë hetimet për personat e implikuar”, – u shpreh Lamallari.

I pyetur se si dhe kur do bëhet ekstradimi i Arbër Çekajt në Shqipëri, zv.ministri i Brendshëm tha se tashmë po punohet për realizimin e procedurave.

“Ligji është shumë i qartë. Ne po shkëmbejmë inflacione me palën gjermane, është kërkuar që kjo kërkesë për ekstradim të paraqitet sa më shpejt në mënyrë diplomatike. Synohet që në një periudhë sa më të shpejtë të bëhet i mundur edhe ekstradimi. Nuk mund të flasim për afate kohore konkrete ekstradimi, sepse varet nga ecuria e procedurave”, – tha ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne